E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi- Steinberg: Të rivendoset dialogu politik


Rëndësia e vendosjes sa më të shpejtë të dialogut të frytshëm mes forcave politike dhe përgatitjen sa më të mirë e në kohë për zgjedhjet vendore, që do të zhvillohen në 8 maj të këtij viti ka qënë në fokus të takimit të mbajtur sot ndërmjet Presidentit Bamir Topi dhe Zëvendëssekretarin Amerikan të Shtetit, Xhejms B. Stajnberg.
 

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Zëvendëssekretarin Amerikan të Shtetit, Xhejms B. Stajnberg si dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë,në përbërje të të cilit është edhe Zëvendësndihmës Sekretarin për Evropën dhe për Azinë, Tomas Kantrimen. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksander Arvizu.

Presidenti Topi, pasi vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona mike dhe aleate, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e ndihmesën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara, ritheksoi gatishmërinë e tij personale dhe institucionale për të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm që nxit apo garanton dialogun politik midis palëve politike, si dhe të mirëpresë dhe të mbështesë propozime konkrete që do të bëjnë të mundur jetësimin e këtij dialogu institucional në shërbim të interesave madhore të vendit.

Nga ana e tij, Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Xhejms B. Stajnberg shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim me Presidentin Topi, vlerësoi lart rolin e tij institucional dhe konstruktiv në këto momente të vështira për Shqipërinë dhe e siguroi kreun e shtetit se ndihmesa dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk do t`i mungojnë në përpjekjet e tij si simbol i unitetit të popullit për t`i shërbyer sa më mirë Shqipërisë dhe demokracisë shqiptare.

Stajnberg nënvizoi qëndrimin e Shteteve të Bashkuara përsa i përket domosdoshmërisë për të rivendosur dialogun politik institucional dhe për shëndoshjen e demokracisë funksionale shqiptare si dhe të respektimit të institucioneve të pavarura të një vendi, që luan një rol të rëndësishëm në qëndrueshmërinë dhe paqen e rajonit ballkanik.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›