E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: 20 vite demokraci, media, më e pjekur

Një media më e pjekur dhe më profesionale pas 20 viteve tranzicion. Me këtë vlerësim, kreu i shtetit, Bamir Topi, u është drejtuar dje përfaqësuesve te medias së shkruar dhe elektronike në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Në pritjen e organizuar në Presidencë, Topi foli për një pushtet të katërt që, ndryshe nga politika, ka luksin e të shprehurit të drejtpërdrejtë, por që duhet të krijojë një distancë më të madhe me këtë të fundit. Më mirë se kushdo tjetër, jeni ju që i analizoni, i vlerësoni, keni luksin të prononcoheni hapur, sepse shpeshherë njerëzit që janë në strukturat shtetërore dhe subjektet politike, ndoshta janë edhe të kondicionuar nga rrethanat, koniunkturat dhe nga niveli i demokracisë së brendshme që në ndonjë rast të jenë më të rezervuar për të shprehur mendimin. Aktorët politikë duhet të ndërgjegjësohen për rëndësinë e pavarësisë së gazetarëve dhe të mediave për faktin se një shoqëri e emancipuar dhe demokratike ndërtohet vetëm duke i dhënë përparësi pavarësisë së sistemit mediatik nga politika, një pavarësi maksimale të mundshme, - tha Topi. Kreu i shtetit foli dhe për një përmirësim të ligjit për gazetarët. Tashmë ne kemi kuptuar pa ekuivok se të gjitha statuset sociale vihen në rrezik kur rrezikohet statusi i gazetarit. Sistemi i mediave në qendër duhet të ketë gazetarin dhe për këtë duhen rregullimet e nevojshme ligjore që e garantojnë këtë marrëdhënie, sepse vetëm kështu ata mund të jenë partnerë të denjë të publikut, - tha Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›