Emërimet në gjykata, Topi: Nuk zgjedh figura politike
Presidenti i Republikës premton se nuk do të emërojë figura politike në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese dhe se gjatë përzgjedhjes do të ketë parasysh integritetin moral dhe atë profesional. Topi drejtoi dje takimin e grupit konsultativ në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për vendet vakantë në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Kryetari i shtetit përsëriti vendosmërinë për përzgjedhjen e kandidaturave më të spikatura profesionalisht. Në këtë proces do të bëj kujdes të mos zgjedh kandidatura të një profili politik, për ti dhënë jetë parimit të ndarjes së pushtetit politik nga pushteti gjyqësor e natyrisht pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Këto zgjedhje do bazohen në dy shtylla thelbësore: integriteti moral e integriteti profesional. Procesi do të realizohet në transparencë, objektivitet dhe ekuilibër për të garantuar për të gjithë konsolidimin e shtetit të së drejtës. Dëshiroj të falënderoj të gjithë të interesuarit që kanë paraqitur kandidaturat e tyre në këtë proces, i cili ndodhet në fazën e vet përfundimtare! Ekspertët ligjorë vlerësuan ecurinë dhe transparencën e këtij procesi për përmirësimin e kritereve në përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese e Gjykatës së Lartë. Në takim ishin të pranishëm dhe morën pjesë në komunikim me Presidentin përfaqësues të misionit EURALIUS të Bashkimit Evropian, të Pranisë së OSBE-së e të programit OPDAT pranë ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Presidenti Topi i falënderoi të gjithë anëtarët e grupit të punës për gatishmërinë e tyre në ofrimin e asistencës juridike drejt standardeve të njohura e të pranuara për gjyqtarë me integritet të lartë moral e profesional. Presidenti Topi vuri në dukje: Ky është një proces tejet i rëndësishëm dhe jo thjesht formalitet. Ky proces është transparent, thelbësor, analitik dhe i shtrirë në kohë.