Vasili: Kushtet higjieno-sanitare të grevës, të paqarta
Ministria e Shëndetësisë ende nuk është në gjendje të shprehet për kushtet higjieno-sanitare, në të cilat po zhvillohet greva e urisë e deputetëve socialistë dhe mbështetësve të tyre në mjediset përpara Kryeministrisë, pasi ata nuk janë lejuar të futen në këto mjedise. Pavarësisht kësaj, sistemi shëndetësor është në gatishmëri të plotë për të dhënë ndihmën mjekësore edhe jashtë mjediseve të grevës. Shërbimi shëndetësor shqiptar nuk ka informacion për kushtet e brendshme në të cilat zhvillohet greva. Sikurse ju e dini, ne kemi ofruar një shërbim shëndetësor të pandërprerë jashtë ambienteve ku zhvillohet greva, - është shprehur ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, dje gjatë komunikimit të një urdhri të ri. Ai shtoi se shërbimi shëndetësor shqiptar ka asistuar aktivitetet e opozitës që në momentin e protestës së të premtes së shkuar. Kemi siguruar dhe vazhdojmë të sigurojmë këtë asistencë mjekësore 24 orë në 24 dhe në momentin e grevës së urisë, pavarësisht nga mungesa e komunikimit. Më tej, kreu i shëndetësisë tha: Vetëm para dy ditësh një ekip mjekësor kryesuar nga drejtori i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, z. Pëllumb Pipero, drejtoresha e Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës, që ka autoritetin mbi gjithë shërbimin shëndetësor që funksionon në kryeqytet, z. Liliana Ramosaco, si dhe përfaqësues të tjerë kanë marrë komunikim me organizatorët e grevës, është komunikuar vazhdimi i pandërprerë i ndihmës shëndetësore nga ana e autoriteteve shtetërore shëndetësore, qoftë me mjete transporti, të cilat ndodhen në vendngjarje dhe janë lehtësisht të verifikueshme, ekipe mjekësore, qoftë dhe me ato që janë mjete të domosdoshme të ndërhyrjes së shpejtë, siç janë serumet, si dhe mundësia për të transportuar në stacionarët më të afërt spitalorë.