E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: “Nderi i Kombit", Selman Rizës pas vdekjes

 Me këtë rast, në Presidencë u zhvillua një ceremoni solemne, ku pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit presidencial, në shenjë nderimi dhe respekti për punën kolosale të shkencëtarit të shquar të lindur në Gjakovë, Presidenti Topi i dorëzoi Urdhërin e lartë dhe dekretin përkatës familjarëve të Selman Rizës.
   
Në emër të tyre përshëndeti Prof. Emin Riza, i biri i albanologut të shquar, i cili tha se  vlerësimi i Kreut të Shtetit vjen natyrshëm në kuadrin e ri politiko-shoqëror të Shqipërisë, që njëzëri hodhi poshtë përgjithmonë çnjerëzinë e bolshevizmit të skajmë, apo enverizmit.
   
 "Vlerësimi i figurave të shquara të kombit tonë vital gjatë mbarë historisë së tij shumtas tragjike, është vlerësim i mbarëkombit, i cili i rriti dhe i vuri ato në krye të mendimit shqiptar, gjithëherë mëmëdhetar dhe të arsyeshëm njëherazi', tha z. Riza.
    
Sipas tij, veprimtaritë e gjera në Kosovë, me ndihmesën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës e të Komunës së Gjakovë, të cilat, krahas kujdesit për rivarrimin e eshtrave të Selman Rizës në vendlindje, ngritjes së bustit në qendër të Gjakovës dhe dekorimit me Medaljen e Artë të Lirisë prej Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, u shoqërua me botime të rëndësishme.
  
Konferencat shkencore të mbajtura prej universiteteve të Tiranës, Korçës dhe Shkodrës, janë ndihmesa të prekshme për vlerësimin e veprës së Selman Rizës. Dhënia e titullit "Nderi i Kombit", nga Presidenti Topi, në kuadër të Simpoziumit "Selman Riza, gjuhëtar dhe atdhetar i shquar", me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij, përmbyll denjësisht këtë përvjetor, duke i hapur rrugën njohjes më të gjerë dhe të gjithëhershme të veprës së Selman Rizës për kombin, gjuhën shqipe dhe mendimin e lirë.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryetari i Akademisë së Shkencave, Prof. Gudar Beqiraj, nënkryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Prof. Besim Bokshi, rektorë dhe dekanë të universiteteve, albanologë dhe gjuhëtarë, anëtarë të Akademisë së Shkencave, të Qendrës së Studimeve Albanologjike të Tiranës, etj.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›