E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq, shtrëngata rikthen motopeshkatoret në port

DURRËS-VLORE-Shtrëngata detare dhe moti i keq kanë karakterizuar natën e kaluar situatën metereologjike në rajonin e Durrësit duke vështirësuar sot punën në Portin e këitj qyteti. Moti i keq ka perfshire dhe jugun, por ne Portin e Vlores situata paraqitet me e permiresuar.
Burime zyrtare nga kapiteneria e portit detar thanë se era me drejtim nga juglindja, me shpejtësi deri në 70 km në orë, si dhe deti i trazuar me forcë 5-6 kanë vështirësuar situatën e anijeve që ndodhen të ankoruara në radën detare të portit.
Sipas burimeve tragetet e linjës Durrës-Bari janë nisur mbrëmjen e kaluar pa probleme, ndërsa fortunali që nisi sot rreth orës 03.00 po vonon futjen në orar të tre trageteve që kanë mbërritur nga porti i Barit (Itali) dhe presin të ankorohen në Durrës.
Reshjet e shiut që vazhdojnë prej disa orësh do të pengojnë vetëm përpunimin e anijeve me mallra ushqimorë, ndërsa do të vijojë normalisht shkarkimin i anijeve tregtare me kontenierë. Mësohet se nga dispeçeria e peshkimit thuajse të gjitha motopeshkatoret janë strehuar tashmë pranë urave përkatëse në portin detar.
“Katër motopeshkatore të mëdha, me tonazh 87 ton, janë afruar në brigjet pranë Durrësit në pritje të përmirësimit të kushteve detare, megjithëse sipas sinoptikanëve në orët e ardhshme era me drejtim nga juglindja do të forcohet, ndërsa deti do të arrijë dallgëzimin deri në 8 ballë", përfunduan burimet.
Por vlerat e ulëta të presionit atmosferik do të ndikojnë për një mot me rreshje shiu edhe në Vlorë.
Burimet zyrtare nga kapiteneria e Portit detar të Vlorës bënë të ditur se era do të ketë drejtimin Jug-Juglindje me shpejtësi 8-10 m/sek dhe 12-14 m/s në afërsi të bregut, ndërsa valëzimi parashikohet në 2-3 ballë në hapësirën detare brenda gjirit dhe 6-7 ballë në det të hapur.
Temperatura maksimale e ajrit do të variojë nga 12-13 gradë celsius, ndërsa ajo minimale ishte 6 gradë celsius.
Tragetet e linjës Vlorë-Brindizi pritet të udhëtojnë drejt portit italian në oraret e zakonshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›