E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Angazhimi në FRD, një shans dhe përgjegjësi e madhe

Ish-presidenti , Bamir Topi i është bashkuar zyrtarisht radhëve të partisë “Fryma e Re Demokratike”. Në fjalën e tij, Bamir Topi ka theksuar se anëtarësimi i tij në FRD është një shans por edhe një përgjegjësi për të çuar përpara punën e disa politikanë të rinj.
 

"Në përputhje me deklaratat e mia të mëparshme dua të shpreh vendimin tim politik për tu bërë pjesë aktive politike e FRD-së për të bërë më të mirën e mundshme në shërbim të qytetarëve. Për 5 vite pata fatin që të përfaqëojë gjithë qytetarët. Unë rikthehem në politikën aktive me një përvojë shumë herë më të madhe politike, me synimet e qarta në arritjen e atyre standarteve të demokracisë” tha Topi.

 Ai ka theksuar se tashmë qytetarët janë të zhgënjyer nga politika e cila është ndjekur deri më tani dhe kërkojnë një ndryshim pozitiv.
“Ata me të drejtë kërkojnë një ndryshim pozitiv për veten, familjen dhe për vendin. FRD-ja ka përqëllim këtë ndyshim që s`ka të bëjë vetëm me ndryshimin e jetës së qytetarëve por me ndryshimin e sjelljes politike” shtoi më tej Topi.
 

Topi gjithashtu është shprehur i prerë se nuk do të ketë koalicion me dy partitë e mëdha politike në zgjedhjet e 2013-ës. “Ne i konsiderojmë tashmë parti të vjetra të një trazicioni të mundimshëm në Shqipëri. Ne përjashtojmë në mënyrë absolute ndonëse politika ka një fjalë “kur mos thuaj kurrë”, të paktën për atë mendim që ne mendojmë sot , në zgjedhjet e 2013-ës nuk do të bëjmë koalicion me asnjë parti politike përfshirë PD-në dhe PS-në” tha Topi.

Ndërsa kreu i grupit nismëtar Gazmend Oketa ka theksuar se forumet e partisë kanë marrë vendimin që t`ia besojnë drejtimin e FRD-së ish-kreun e shtetit Bamir Topi deri në mbledhjen e forumeve të saj.

“Grupi drejtues ka zhvilluar disa takime dhe mbledhje dhe në mbledhjen e fundit mori vendim politik, kolegët miratuan propozimin tim për t`i besuar drejtimin e FRD deri në kuvendin e ardhshëm, Bamir Topit. Ky nuk mund të konsiderohet privilegj, por angazhim dhe përgjegjësi më shmë” tha Oketa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›