E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Bashkëpunim pa dallime politike për përballimin e situatës

Presidenti Topi apelon për bashkëpunim mes autoriteteve qendore dhe atyre vendore për përballimin e situatës së krijuar në veri të vendit.

Topi ka kontaktuar direkt me drejtuesit e pushtetit vendor në Tropojë, Krumë, Kukës, Mirditë, Mat, Bulqizë, Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Dibër, Korçë, Librazhd dhe Elbasan si dhe me drejtues të njësive vendore më në vështirësi përfshirë kryetarët e komunave Lekbibaj, Shalë, Kelmend, Margegaj, etj.

Gjithashtu, Topi zhvilloi biseda telefonike edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Drejtorin e Emergjencave Civile, si dhe drejtues të tjerë të lartë të përfshirë në përpjekjet për përballimin e kësaj situate.

Sipas faqes zyrtare të Presidencës, gjatë këtyre kontakteve, presidenti Topi u interesua me detaje për gjendjen aktuale në njësitë vendore të prekura nga gjendja e fatkeqësisë natyrore, për jetën e banorëve aty, masat e marra për lehtësimin e gjendjes si dhe problematika të tjera të lidhura me to.

Presidenti i Republikës nxiti autoritetet qendrore e vendore të vazhdojnë komunikimin intensiv midis tyre, për koordinimin në kohë dhe me efektshmërin ë e duhur të masave të emergjencës, për tu ardhur në ndihmë sidomos zonave të izoluara si dhe familjeve që janë në kufijtë e mbijetesës. Presidenti Topi apelon çdo njësi dhe ent shtetëror, çdo parti politike dhe institucion, që tej dallimeve politike, të fokusohen në bashkëpunim e mirëkuptim në përballimin me sukses të kësaj situate emergjente. Në një demokraci dhe shoqëri të lirë nuk ka asgjë më prioritare dhe më të rëndësishme sesa jeta e qytetarëve dhe siguria e tyre, thuhet në njoftimin zyrtar.

Njëherësh, Presidenti Topi apelon kompaninë shtetërore dhe ato private telefonike të marrin çdo masë të mundshme për të siguruar komunikim të panderprerë në çdo zonë të vendit, si dhe bën thirrje biznesit privat të dëshmojnë solidaritet dhe humanizëm në ndihmë të qytetarëve në nevojë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›