Situata nga bora, Topi: Bashkëpunim pa dallime politike

Kreu i shtetit Bamir Topi ka bërë sot apel enteve shtetërore, partive politike dhe institucionive të vendit, që përtej dallimeve politike, të fokusohen në bashkëpunim e mirëkuptim në përballimin me sukses të kësaj situate emergjente. “Në një demokraci dhe shoqëri të lirë nuk ka asgjë më prioritare dhe më të rëndësishme sesa jeta e qytetarëve dhe siguria e tyre” ka theksuar Topi ka theksuar sot gjatë një kontakti me drejtues të pushtetit vendor të zonave të izoluara.
Presidenti vlerësoi punën e admirueshme të drejtuesve të pushtetit vendor për tiu ndodhur pranë qytetarëve, punën e ushtrisë, policisë, njësive të emergjencës, të shërbimit spitalor dhe arsimor, të njësive të furnizimit me energji, të medias elektronike, si dhe të të gjithë punonjësve të tjerë, të cilët, pavarësisht nga vështirësitë dhe rrethanat e jashtëzakonshme, kanë bërë gjithcka në mbrojtje të jetës së banorëve të rrezikuar dhe përballimit të situatës me sa më pak humbje.
Ai nxiti autoritetet qëndrore e vendore të vazhdojnë komunikimin intensiv midis tyre, për koordinimin në kohë dhe me efektshmërin ë e duhur të masave të emergjencës, për tu ardhur në ndihmë sidomos zonave të izoluara si dhe familjeve që janë në kufijtë e mbijetesës.
Zyra e Presidentit njofton se Topi mori sot kontakte direkte me drejtuesit e pushtetit vendor në Tropojë, Krumë, Kukës, Mirditë, Mat, Bulqizë, Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Dibër, Korçë, Librazhd dhe Elbasan. Gjithashtu Presidenti Topi kontaktoi edhe me drejtues të njësive vendore më në vështirësi përfshirë kryetarët e komunave Lekbibaj, Shalë, Kelmend, Margegaj, etj.
Presidenti Topi pati biseda informuese edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Drejtorin e Emergjencave Civile, si dhe drejtues të tjerë të lartë të përfshirë në përpjekjet për përballimin e kësaj situate.
Në këto kontakte direkte Presidenti Topi u interesua me detaje për gjendjen aktuale në njësitë vendore të prekura nga gjendja e fatkeqësisë natyrore, për jetën e banorëve aty, masat e marra për lehtësimin e gjendjes si dhe problematika të tjera të lidhura me to.