E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Berisha, sot përballja me votë në Kuvend për 2 dekretet

SHKRUAN: Fejzi Braushi 03-11-2011 11:11

Mazhoranca pritet të rrëzojë sot në seancë dy dekretet e Presidentit, për ligjin e mbetjeve dhe për kandidatin e KLSH-së, Sali Shehu. Për rrëzimin e “plehrave” duhen 71 vota

Beteja mes kreut të shtetit, Bamir Topi, dhe mazhorancës zbret sot në sallën e Parlamentit. Votimi i dy dekreteve shumë të rëndësishme, ai për kthimin e ligjit të plehrave dhe dekreti për emërimin e Sali Shehut si kreun e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit, përbëjnë jo vetëm test për mbështetjen që pretendohet se ka Presidenti brenda radhëve të mazhorancës, por edhe për kompaktësinë e gjithë mazhorancës. Pavarësisht se shumica qeverisëse e ka shprehur votën e saj kundër edhe gjatë shqyrtimit në komisione të këtyre dy dekreteve, me interes pritet votimi për dekretin e kthimit të ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve, i cili për t’u rrëzuar nga ana e mazhorancës kërkon 71 vota, ndryshe nga dekreti për emërimin e Sali Shehut që mund të rrëzohet edhe me shumicë të thjeshtë.

Ligji për plehrat

Dekreti i Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për rikthimin për shqyrtim të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” do të jetë sot pika më e nxehtë në debatin mes mazhorancës dhe opozitës. Jo vetëm për shkak të qëndrimeve që këto forca kanë mbajtur gjatë gjithë këtyre muajve për këtë ligj, ku opozita shprehet kundër tij dhe mazhoranca pro, por edhe për vetë numrin e votave që kërkohet për rrëzimin e dekretit dhe automatikisht për kalimin e ligjit. Votimi i dekretit të Presidentit për ligje bëhet i hapur, ndërsa për t’u rrëzuar kërkohen 71 vota, ose votat e shumicës së anëtarëve të Kuvendit. Shumica e djathtë e ka bërë të qartë qëndrimin e saj kundër këtij dekreti, ndërsa e demonstroi këtë gjë edhe në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Por tashmë në seancë plenare llogaritë duken të vështira për të, megjithëse burime pranë saj kanë bërë të ditur se 71 votat janë të padiskutuara. Realisht në sallë mazhoranca zotëron 74 vota, midis të cilëve 4 të LSI-së dhe 2 të PDIU. Në rast se mazhoranca do të jetë solide, por edhe e plotë në pjesëmarrje, rrëzimi i dekretit mund të mos përbëjë asnjë vështirësi për të djathtët. Çdo vështirësi lind nga fakti se cili do jetë qëndrimi në rradhë të parë i ndonjë deputeti, siç është rasti i Gazmend Oketës, i njohur si mbështetës i kreut të shtetit, apo edhe ndonjë emri tjetër. Në këtë rast situata do bëhej e vështirë jo vetëm me një votë pro dekretit, por edhe me një mospjesëmarrje fare të tyre në seancë. Kjo pasi numrat e mazhorancës mund të kufizoheshin drejt minimumit kritik prej 71 votash. Nga ana tjetër vështirësi për shumicën qeverisëse përbën dhe qëndrimi i ndonjë deputeti të partive aleate. Lefter Koka një javë më parë ishte i vetmi përfaqësues i shumicës qeverisëse që mori pjesë në tryezën për ligjet me 3/5 të organizuar nga opozita. I tentuar disa herë dje në telefon nga gazeta, Koka nuk ka dashur ta bëjë publik qëndrimin që do të mbajë sot në seancë. Në këtë situatë punë do të prishte edhe një votë abstenuese e tij. Nga ana tjetër demokratët kanë të sigurt vetëm votën e çamëve të PDIU-së, të cilët të kontaktuar dje nga MAPO kanë deklaruar votën e tyre kundër dekretit të Presidentit. Sipas deputetit Dashamir Tahiri, dekreti i Presidentit nuk ka motivim të qartë dhe argumentet e dhëna nuk janë bindëse. “Nuk shikojmë asgjë të keqe në këtë ligj mbetjesh, ndaj kërkojmë që çështja të mos politizohet’, - tha Tahiri.

Kreu i KLSH-së

Ndryshe nga rasti i mësipërm, votimi i dekretit të dytë, ai për emërimin e Sali Shehut, është më i thjeshtë, pasi për t’u miratuar, ashtu edhe për t’u rrëzuar, kërkon vetëm një shumicë të thjeshtë të të pranishmëve në sallë. Pra, në rastin më të keq, ai mund të miratohet apo rrëzohet edhe me 36 vota. Megjithatë, edhe në këtë rast shumica qeverisëse e ka ndarë mendjen dhe, ashtu si edhe në komisionin e Ekonomisë, pritet të votojë sërish kundër propozimit të Topit. Interesant do të jetë në këtë rast qëndrimi që do të mbajë opozita, e cila dje është gjendur e papërgatitur me futjen e kësaj pike në rendin e ditës së seancës së sotme. Megjithatë, të pyetur dje, deputetë të opozitës kanë bërë të ditur se parimisht janë kundër një kandidature të tillë, megjithëse vendimin përfundimtar do ta marrin gjatë seancës. Ndërkohë që nga ana tjetër edhe në këtë rast pritet që edhe nga mazhoranca të ketë rrjedhje votash, jo vetëm për shkak të mbështetësve të Topit, por edhe miqësive personale të ndonjë deputeti me kandidaturën e propozuar për postin e kreut të KLSH-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›