Ligji i plehrave, Tahiri: Qeveria nuk garanton kontroll, do ndodhi si me demontimin e armëve
Samir Tahiri, deputet i PS-së duke folur për ligjin e plehrave u shpreh se qeveria nuk ofron asnjë garanci për kontrollin e importimit të plehrave duke shtuar se miratimi i ligjit do ti hapë rrugën abuzimeve siç ndodhi me demoncimin e armëve.
Edhe për demontimin e armëve të njëjtën gjë tha edhe ju. Mos na thoni se në letra jemi mirë dhe nuk e dijmë se çfarë do të ndodhi në realitet. Ju jeni qeveria më kriminale në raport me mjedisin. Jeni kriminokraci. Mafia dhe krimi imponon vendimmarrjen e qeverisë tuaj, u shpreh Tahiri.
Deputeti i PS-së bëri thirrje që të merret parasysh interesi i gjerë i qytetarëve. Kujt i shërben ky ligj? Sa vend zë? Jeni në gjendja të na thoni se rreziku që i kanoset vendit nga importimi i plehrave Qeveria nuk ofron asnjë garanci që nuk do të futen lloj-ll0j plehrash, tha ai.
Tahiri kërkoi që të mbahet referendum për këtë çështje dhe të mos miratohet në Kuvend. Kryeministër, a e hap ti derën për të futur plehrat e komishut? A ka njeri që e bën këtë? Pse i hap dyert e vendit për të futur plehrat e botës? Amandamendi i vetëm i jonë është se jemi kundër importimit të plehrave se edhe qytetarët janë kundër. Bëni referendum meqenëse edhe kryeministri ka dashuri për zërin e qytetarëve. Mos bëni politike me këtë projektligj se do ta paguash shtrenjtë nënvizoi Tahiri.
Majlinda Bregu, ministre e Integrimit duke folur në Kuvend tha se ligji Për menaxhimin e integruar të mbetjeve është një detyrim i procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Bregu tha se ligji është në bazë të standardeve evropiane dhe se opozita po përpiqet të fitoi pikë politikisht duke deformuar ligjin.
Po plotësojmë detyrim që Shqipëria ka në procesin e integrimit në BE. Ligji rregullon riciklimin mbetjeve. Ju duhet kauzës tjetër për mjedisin. Është hipokrizi dhe patetizëm të bëhesh më katolik se Papa dhe më antiglobal se Rama, u shpreh Bregu.
Armando Subashi, deputeti i PS-së është shprehur se fillimisht duhet të merremi me plehrat brenda vendit dhe jo ti hapim rrugën importimit të plehrave. Ai tha se neni 22 dhe 49 janë problemi i ligjit.
Nuk duhet të mbrojmë importimin e plehrave dhe të bëjmë sikur shqetësohemi me disa biznese që merren me riciklimin e tyre,, tha Subashi. Sot jeni vetëm me plehrat që kërkoni të sillni në Shqipëri dhe me Saliun që këndon tamam si gjeli majë plehut, shtoi ai.
Ministri i Mjedisi Fatmir Mediu u shpreh se ligji kufizon importin e plehrave por ai shtoi se do të ishte mirë që për ligjin të ishte kërkuar mendimi i Brukselit nëse ligjit plotëson standardet e kërkuara.
Të lëmë me një anë demogagjinë. Nga 334 mbetje ne e reduktuam në 55 importin e mbetjeve. Nëse duhet diskutuar le të diskutojmë për uljen e listës që lejohet të importohet, tha Mediu.
Nga ana tjetër nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së Eduard Shalsi u shpreh se Shqipëria nuk mund të monitorojë importin e plehrave dhe miratimi i ligjit mund të krijojë një situatë të rrezikshme.
Shqipëria nuk ka inventarizuar popullsinë dhe jo më të inventarizoi plehrat që vijnë nga jashtë. Si mund të lejosh importin kur nuk po menaxhon dot plehrat brenda vendit. Historia do ta dënoi kokëfortësinë për miratimin e ligjit antishqiptar, tha ai. Shalsi iu drejtua Berishës duke thënë se nuk duhet të ofendojë qytetarët me etiketime si aleanca e plehut.
Deputeti i Partisë Socialiste Blendi Klosi ka i ka bërë thirrje Kuvendit që të mos miratojë ligjin e plehrave. Klosi u shpreh se duhet të dëgjohet zëri i opinionin publik që është kundër miratimit të ligjit.
Opinioni publik kërkon që deputetët një herë të vetme të harrojnë ndarjet politike. Ky ligj është për importimin e plehrave dhe mos i gjeni emër tjetër po kërkon që Shqipëria të bëhet depo e plehrave. Ligji nuk flet qartë për menaxhimin e plehrave por hap dritare për importimin e plehrave, tha deputeti i PS-së.
Neni 49 i hap rrugë importimit të plehrave tha Klosi ndërsa neni 22 parashikon që Këshilli i Ministrave nuk e ndalon dot importimin e plehrave. Bëni referendum pse keni frikë nga qytetarët. Ky është moment i rëndësishëm, çfarë doni të thoni që ne nuk pyesim, nënvizoi Klosi. ”Mos e votoni këtë ligj në emër të fënijëve. Ai vlen të mos e votojmë edhe nëse nuk bëhemi deputetë”, tha ai.
* * *
Mazhoranca pritet të miratojë përsëri ligjin Për menaxhimin e integruar të mbetjeve edhe pse Presidenti i Republikës e ktheu atë për përmirësim.
Kreu i PD-së Sali Berisha tha kjo gjë ishte e drejtë kushtetuese e Presidentit por e cilësoi kthimin si vendim politik dhe se të tillë përgjigje do ti kthejë edhe mazhoranca.
Por çfarë do të ndodhë nëse ligji kalon sot në Kuvend? Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë të kthejë atë përsëri. E vetmja mundësi është Gjykata Kushtetuese.
Në argumentin e Topi për kthimin e ligjit thuhet se neni 49 (i projektligjit) kufizon mundësinë e arritjes së objektivit Kushtetues për një mjedis të shëndetshëm.
OSBE u shpreh e gatshëm për të ofruar asistencë me anë të specialistëve të saj por duket se mazhoranca nuk do të pres por kërkon që ligji të hyjë në fuqi sa më shpejt.
Ndërsa opozita nuk dihet nëse do të ketë shumë në dorë për të parandaluar miratimin e këtij projektligji.
Sot, gjithashtu para Kuvendit organizohet një protestë për të shprehur qëndrimin kundër miratimit të projekligjit që i hap rrugën importit të plehrave.

