Topi-Countryman:Dialog për zgjidhjen e krizës

Nevojë për një zgjidhje sa më të shpejtë të krizës, rivendosje e dialogut politik, një hetim tërësor, profesional dhe i ekuilibruar, që do të vërtetonin funksionimin e shtetit të së drejtës, qëndrueshmërinë e institucioneve të pavarura kushtetuese si dhe demokracisë funksionale të një vendi anëtar të NATO-s.
Këto kanë qenë porositë që zv/ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe për Azinë, Tomas Kantrimen, i la presidentit të Republikës, Bamir Topi, në kuadër të takimit të përbashkët mes tyre.
Topi ritheksoi se tashmë po përjetojmë një moment tepër vendimtar, kur drejtësia shqiptare duhet të dëshmojë përpara qytetarëve të këtij vendi integritetin e saj profesional dhe moral, zotësinë për të hetuar, gjykuar e marrë vendime e pavarur nga presionet dhe ndikimet politike.
Presidenti nënvizoi se e vërteta dhe dhënia e drejtësisë janë nevojë dhe domosdoshmëri, madje sot më parësoret për t`i rikthyer qytetarëve shqiptarë besimin tek shteti dhe tek institucionet e tij të pavarura, tek respektimi dhe zbatimi i ligjit dhe të qenit të të gjithëve të barabartë në këtë pikë pa asnjë lloj dallimi.
“Ky do të ishte një kontribut thelbësor në rrugën për zgjidhjen e kësaj krize të pashembullt që pikësëpari duket se ka marrë peng shpresën e shqiptarëve jo vetëm për kapërcimin e saj, por dhe të alternativave që do iu ofrohen atyre nga forcat politike për të projektuar të ardhmen”, u shpreh Presidenti Topi.
Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Tomas Kantrimen, shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim me Presidentin Topi duke vlerësuar rolin e tij institucional dhe konstruktiv në këtë situatë të vështirë për Shqipërinë dhe duke çmuar lart përkushtimin e Kreut të Shtetit për t`i shërbyer popullit shqiptar dhe kushtetutës.
Gjithashtu zoti Kantrimen theksoi pozicionin e njohur të Shteteve të Bashkuara lidhur me nevojën për një zgjidhje sa më të shpejtë të krizës, rivendosjen e dialogut politik, një hetim tërësor, profesional dhe të ekuilibruar, që do të vërtetonin funksionimin e shtetit të së drejtës, qëndrueshmërinë e institucioneve të pavarura kushtetuese si dhe demokracinë funksionale të një vendi anëtar të NATO-s.