E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Do rikthejmë vlerat e humbura

Kreu i FRD-së, Bamir Topi ka zhvilluar pasditen e së shtunës një takim elektoral me banorët e njësisë numër 3 të Tiranës.

Në fjalën e tij para simpatizantëve, Topi ka dhënë garancinë e tij se, FRD merr përsipër të punojë fort për disa vlera që sipas tij janë rrënuar, ose mënjanuar, ose s’janë realizuar.

“FRD është një forcë politike e qendrës së djathtë, që u është rikthyer momenteve më të qenësishme që ka situata politike në Shqipëri. Për fat të keq, këto vlera duhet të rigjenerohen dhe të kthehen në Parlament, qeveri dhe institucionet e tjera të Shqipërisë”, ka deklaruar Topi, shkruan TCH.

Ish-presidenti i Republikës ka kritikuar situatën parazgjedhore, e cila sipas tij po e çon vendin drejt zgjedhjeve të manipuluara, që nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve.

“Po përballemi jo vetëm me një situatë politike të rrënuar, por me një garë të deformuar që tenton të rikthejë atë që ka ndodhur vazhdimisht në Shqipëri, zgjedhje të manipuluara e të deformuara. Mbi të gjitha, zgjedhje që nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve”, ka theksuar Topi.

“Është e pakuptimtë që KQZ vazhdon të operojë me 4 militantë të partisë në pushtet. Bëjmë apel që të rivendoset funksioni normal i KQZ-së. Të gjithë e dimë se cfarë thotë raporti i vëzhguesve”, ka vijuar ai.

Më tej Topi ka komentuar edhe shkarkimin e gjeneralëve, veprim që sipas tij nxjerr në dritë një shtet politik të rrënuar e që vazhdon të rrënohet.

“Ky është një turp i jashtëzakonshëm”, i cili e ka cilësuar si absurd titullin e fisnikërisë të marrë nga kryeministri Berisha. “Sot kemi një kryeministër që derdhi gjak në mes të Tiranës, vrau katër të pafajshëm dhe sot merr titull fisnikërie”, ka shtuar Topi./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›