E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Duhet koordinim institucionesh kundër gjakmarrjes



Mungesa e koordinimit midis institucioneve shtetërore dhe moszbatimi i ligjit ndaj kujtdo që vret, janë disa nga faktorët që ndikojnë në ekzistencën dhe zgjerimin e dukurisë së gjakmarrjes. Kreu i shtetit, Bamir Topi, i cili është edhe kryetari i Këshillit Koordinues në luftën kundër gjakmarrjes, theksoi domosdoshmërinë e këtij koordinimi për të luftuar dukurinë, por edhe burimet e lindjes dhe nxitjes së tij. “Unë gjykoj se ne kemi nevojë për një vlerësim të ri të fenomenit, të përmasave të tij, faktorëve që e nxisin apo promovojnë atë dhe masave që duhen ndërmarrë për ta luftuar këtë fenomen. Çdo institucion ligjor e kushtetues ka përgjegjësi dhe detyra konkrete të caktuara nga ligji integral i tyre”, - tha Presidenti Topi. Ndër të tjera Topi theksoi: “Shteti ka detyrë ekskluzive të zbatojë ligjin ndaj kujtdo që vret, kujtdo që sulmon jetën dhe lirinë e tjetrit apo kujtdo që kërcënon jetën e tjetrit. Kjo përgjegjësi është në radhë të parë e Policisë së Shtetit, e organeve të drejtësisë dhe e pushtetit vendor”. Nëntorin e kaluar, Presidenti i Republikës thirri mbledhjen e Këshillit Koordinues në luftën kundër gjakmarrjes ku dhe u propozuan detyrat konkrete për të gjitha institucionet anëtare të këtij këshilli me qëllim organizimin dhe garantimin më të mirë të masave në luftën kundër gjakmarrjes. Dukuria e gjakmarrjes ka përmasa të mëdha në verilindje të vendit, ku vetëm në qarkun e Kukësit regjistrohen 240 familje të ngujuara për shkak të frikës nga gjakmarrja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›