Hyrja në NATO, Topalli: Rama ta përshëndesë
Hyrja e vendit në NATO, krahas njohjes së meritave mes dy palëve, ka krijuar edhe në debat në lidhje me sfumimin e ngjarjes. Deputetët e mazhoranës kanë akuzuar PS-në se ka krijuar një fushatë anti-NATO, ndërsa opozita ka deklaruar se qëllimisht kërkohet të përjashtohet kontributi i saj. Deputeti i PS-së, Taulant Balla, tha në Kuvend se mazhoranca po tenton të zëvendësojë kontributin e opozitës. “Mos na mohoni të drejtën e kontributit tonë të pazëvendësueshëm, pasi ky është detyrimi ynë moral dhe politik”, - tha Balla. Deputeti i PS-së u kundërshtua nga mazhoranca, duke thënë se fushata e PS-së me kartat e identitetit ka qenë fyese. Kryetarja e Kuvendi tha më tej se kryetari i PS-së ende nuk ka folur për NATO-n dhe ende s’e ka përshëndetur. “Pa dyshim që rruga ka qenë e vështirë, jashtëzakonisht e vështirë, por edhe përpjekjet kanë qenë titanike. Është moment, që në fakt po të kishte një fjalë më të madhe sesa i rëndësishëm, do ta artikuloja pikërisht atë fjalë. Vetëm një gjë më bën përshtypje: thuaj kryetarit tënd ta përshëndesë votimin në Kuvendin e Shqipërisë të paketës së anëtarësimit në NATO! Duhej ta bëjë Taulant! Kërkoja kryetarit tënd këtë! Duhet ta bëjë”, - tha Topalli. Në këtë debat ndërhyri edhe zëvendëskryeministri Genc Pollo, duke deklaruar se nuk po tentohet të anashkalohen meritat e opozitës, por sipas tij, veprimet e fundit të opozitës tregojnë papjekuri politike.