E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Duhet më shumë punë, për tërheqjen e turistëve

Presidenti i Republikës Bamir Topi ka vizituar dje qytetin e Sarandës. Kryebashkiaku Stefan Çipa e ka informuar rreth problematikave që ndeshet sot Saranda si dhe planin e zhvillimit turistik që ka në axhendë programi i ri i qeverisjes vendore. Nga ana e vetë, kreu i shtetit shqiptar është shprehur optimist për burimet turistike që ka Saranda dhe njëkohësisht ka kërkuar bashkëpunim institucional në funksion të zhvillimit të qytetit. Presidenti Topi, ka vizituar mesditën e së mërkurës Bashkinë e Sarandës, në vazhdën e një turi vizitash që ka ndërmarrë ditët e fundit në njësitë vendore që preken nga deti Jon. Pas një takimi disa minutësh kokë më kokë me kryebashkiakun Stefan Çipa, kreu i Republikës është informuar rreth problematikave që ndeshet sot qyteti bregdetar sidomos ajo e ujit të pijshëm, apo dhe rënien e numrit të turistëve këtë sezon në raport me vitin e kaluar. Të gjitha këto dhe të tjera, Topi, është informuar në mënyrë të detajuar nga kryebashkiaku sarandiot. Ndërkaq, Presidenti i Republikës, vizitën e tij në Sarandë, e ka justifikuar përveçse një vizite pune edhe relaksi. Në fjalën e tij, Presidenti Topi, ka prekur në distancë edhe çështjen e abuzimeve të ndërtimeve në Sarandë, për të cilat i ka quajtur si gabime jo vetëm të një individi, dhe çfarë është më e keqja, ato janë të mbartura në vite. Topi, nuk artikuloi asnjë emër apo dhe ndonjë objekt por thjesht u mjaftua se gabimet që janë kryer, duhen të pranohen si të tilla dhe kaq. Nisur nga fakti se Saranda shquhet për popullim në muajt e verës, Topi ka hedhur idenë edhe të atraktivizimit të saj edhe në muajt e dimrit ku eksperienca e vendeve perëndimore me të njejtën gjeografi, konsiderohen si qendra turistike dhe në dimër. Megjithatë Topi, ka theksuar se shteti shqiptar, duhet të punojë më tepër që turistët të vijnë me shumë dëshirë dhe të rikthehen po me të njëjtën dëshirë. Pasi ka përshkuar me këmbë bulevardin pranë bregut të detit, kreu i shtetit shqiptar, ka vizituar Muzeun Etnografik. Aty ai ka parë portretin e vet të pikturuar me laps nga një piktor vendas ku gjendej pak centimetra sipër portreteve të tre ish- kryebashkiakëve dhe kryebashkiakut aktual sarandiot.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›