Zyra e Avokatisë për të Rinjtë - A mjafton?
Të shtunën e kaluar një grupim organizatash rinore-studentore të udhëhequr nga Këshilli Rinor Shqiptar dhe Këshilli Kombëtar Studentor promovuan nismën më të re për të drejtat e rinisë shqiptare, Zyrën e Avokatisë për të Rinjtë. Kjo nismë u konkretizua vetëm falë mbështetjes së MTKRS dhe MASH si dhe falë mbështetjes personale të z. Abaz Hado, Zv. Ministër i MTKRS dhe zj. Nora Malaj, Zv. Ministre e MASH.
Tashmë ne kemi shumë shoqata dhe organizma të tjera që në fokusin e punës së tyre trajtojnë problematikat e rinisë. Disa prej tyre janë shumë aktive dhe bëjnë realisht një punë të mirë në këtë drejtim, të tjera thjesht janë të regjistruara në gjykatë dhe veç drejtuesit të saj legjitim askush nuk ka dijeni për ekzistencën e tyre, të tjera janë të padëgjuara por përfitojnë projekte prej dhjetëra e në mos qindra mijëra eurosh në vit por që praktikisht nuk bëjnë asgjë dhe të drejtat e rinisë shqiptare qofshin këta student apo gjimnazistë, qofshin këta të punësuar apo të papunë, qofshin të zotë ao të talentuar, qofshin të informuar apo jo, vazhdojnë të përbëjnë një problem madhor për këtë grupmoshë.
Në këtë këndvështrim Zyra e Avokatisë për të Rinjtë është një iniciativë që duhet përkrahur, për më tepër që kjo vjen si nismë e organizatave më të rëndësishme në vend fokusuar te problematikat e rinisë duke ofruar një shembull për të gjithë rininë shqiptare pse jo dhe për klasën politike e cila duhet t’i referohet kësaj nisme për interesat e shoqërisë shqiptare.
Por a mjafton një zyrë e tillë që të drejtat e të rinjve në Shqipëri të jenë pjesë e axhendës së institucioneve për zgjidhje?
Sigurisht që nuk mjafton. Krijimi i kësaj strukture ishte një fillim i mbarë por tashmë ky bashkëpunim duhet të vazhdojë të tregojë që është real dhe jo vetëm për të mbushur kronikat e mediave elektronike ditën e shtunë. Të tregojë maturinë e duhur në mbledhjen e problematikave të kësaj grupmoshe, identifikimin e zgjidhjeve të mundshme, adresimin e saktë të tyre pranë instancave përkatëse si dhe ndjekjen e tyre në vazhdimësi deri në ofrimin e zgjidhjeve konkrete për problematikat e ofruara. Vetëm kështu Zyra e Avokatisë për të Rinjtë do të jetë një bashkëpunim efikas mes të rinjve dhe përfaqësuesve të tyre.
A mjafton vetëm bashkëpunimi mes strukturave rinore-studentore që krijuan këtë organizëm, qoftë edhe të vetë ministrive të linjës që e përkrahën? Sigurisht që nuk mjafton edhe një bashkëpunim sado efikas dhe i shkëlqyer të jetë midis tyre pavarësisht se kjo do ta lehtësonte shumë procesin.
Pa bashkëpunimin e vetë rinisë, për adresimin e problematikave të tyre në Zyrën e Avokatisë për të Drejtat e të Rinjve si dhe në organizmat e tjera përfaqësuese siç janë këshillat studentore apo Këshilli Rinor Shqiptar etj asnjëherë të drejtat e të rinjve nuk do të mbrohen siç duhet. Ndaj unë i ftoj bashkëmoshatarët e mi që të adresojnë problemet e tyre pranë strukturave tona, të angazhohen pranë tyre sepse kjo është e vetmja mënyrë për të lobuar së bashku për zgjidhjen e tyre. Së bashku ne mund të krijojmë mekanizma të cilët së paku mund të vendosin problematikat tona në axhendat e institucioneve përkatëse, sëbashku ne mund të gjenerojmë zgjidhje konkrete dhe minimalisht mund t’i propozojmë ato në instancat e duhura. Së bashku mund të bëjmë presion që këto probleme së paku të trajtohen dhe pse jo të zgjidhen. Ndaj sëpaku ne mund të bashkëpunojmë me njëri tjetrin për një universitet më të mirë, për një realitet më të mirë, për një të ardhme më të mirë.
Ndaj mos ngurroni të na besoni në këtë iniciativë që ju përket JU sepse sëbashku ne mundemi.
Autori është Kryetar i Këshillit Kombëtar Studentor
...