E Diel, 1 Nëntor 2026

33 – vjetori i Pontifikimit të Papa Gjon Palit II, Berisha: Shenjtor i të gjitha kombeve që duan lirinë, pavarësisht nga besimet e tyre

16-10-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot paradite në çeljen e ekspozitës së organizuar me rastin e 33 vjetorit të Pontifikimit të Papa Gjon Palit II, nga Ambasada polake në Shqipëri. Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin Ambasadorja e Polonisë në Tiranë zonja Irenë Tatarzynska, Ministri i Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare të Polonisë, z. Bogdan Zdrojevski, Ministri shqiptar i Kulturës Rinisë dhe Sporteve z. Aldo Bumçi, drejtues të lartë të Kishës Katolike shqiptare dhe asaj polake, etj. Kryeministri Berisha tha se Papa Gjon Pali II udhëhoqi jo vetëm Kishën Katolike, por frymëzoi popujt e shtypur të Evropës në përpjekjet e tyre për liri dhe dinjitet njerëzor. Mesazhi i tij hyjnor drejtuar polakëve, por dhe të gjithë popujve të shtypur: “Mos kini frikë”, do të mbetet thirrje e përjetshme për liri, për të gjithë ata të cilët vuajtën nga regjimet shtypëse dhe barbare.
Për shqiptarët, theksoi Kryeministri, Papa Gjon Pali II është një nga miqtë më të mëdhenj, më të çmuar në tërë historinë e tyre kombëtare. Ndjenjat e tij miqësore, dashurinë e tij për Shqipërinë e shqiptarët, ai i dëshmoi duke përzgjedhur Shqipërinë si vendin e parë të rajonit të Ballkanit, për t’u vizituar, një vizitë 1 ditore por unike në historinë e Vatikanit dhe të të gjitha Pontifikateve, vijoi Kryeministri.

Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Sot ne nderojmë 33 vjetorin e Pontifikatit më të ndritur në historinë e gjatë të Vatikanit dhe të Kishës Katolike, 33 vjetorit e Pontifikatit të lirisë së kombeve të shtypura.

Ky përvjetor është i rëndësishëm për njerëzit në mbarë botën, për katolikët, myslimanët dhe njerëzit e të gjitha besimeve, sepse në krye të Selisë së Shenjtë, Zoti solli Papën e Lirisë, Papa Gjon Palin II, që, në besimin tim më të thellë, është edhe dhurata më e madhe që kombi i madh polak i ka bërë njerëzimit.

Papa Gjon Pali II udhëhoqi jo vetëm Kishën Katolike, por frymëzoi popujt e shtypur të Evropës në përpjekjet e tyre për liri dhe dinjitet njerëzor. Mesazhi i tij hyjnor drejtuar polakëve, por jo vetëm polakëve, por të gjithë popujve të shtypur: “Mos kini frikë”, do të mbetet thirrje e përjetshme për liri, për të gjithë ata të cilët vuajtën nga regjimet shtypëse dhe barbare.

Por për shqiptarët, Papa Gjon Pali II është një nga miqtë më të mëdhenj, më të çmuar në tërë historinë e tyre kombëtare. Në takimin tim të parë, në vitin 91, me Atin e Shenjtë, në Selinë e Shenjtë, ai do më rrëfente se lutej çdo ditë për Shqipërinë. Askush askokohe nuk kishte ndjekur më me vëmendje, më me përkushtim, tragjedinë e madhe të shqiptarëve nën regjimin e Enver Hoxhës. Ai ishte lutur çdo ditë për shqiptarët, por thirrjet e tij në Puglia ishin një frymëzim i madh në fillim të viteve 80, pasi do të njoftonte qytetarët e këtij vendi, të zhytur në izolimin më të thellë, se ata nuk ishin të harruar.

Ndjenjat e tij miqësore, dashurinë e tij për Shqipërinë e shqiptarët, do ta dëshmonte me vizitën e tij të parë në Ballkan, duke përzgjedhur Shqipërinë si vendin e parë të rajonit për t’u vizituar, një vizitë 1 ditore por unike në historinë e Vatikanit dhe të të gjitha Pontifikateve. Para se të largohej, në një bisedë tërësisht private, ai do më shprehej se për atë kjo ishte një ditë ringjalljeje. Dhe kjo ishte e vërtetë, sepse në Shkodër shuguroi për Ipeshkv Imzot Frano Illia, i cili atë ditë 24 vite më parë, në një gjyq farsë të diktaturës, kishte marrë komunikimin e gjykatësit se dënohej me vdekje. Po kështu, në këtë vizitë Papa Gjon Pali II shuguroi Katedralen, një ndër më të mëdhatë në Ballkan dhe që gjatë regjimit ishte shndërruar në palestër, magazinë dhe destinacione të tjera.

Ajo vizitë pati një simbolikë të veçantë. Në Aeroportin e Tiranës pata fatin dhe nderin ta pres së bashku me Nënë Terezën, edhe Kjo, dhurata më e madhe që kombi shqiptar i ka bërë njeriut dhe njerëzimit, në të gjitha kohërat. Kjo ishte dita e Lumturimit tokësor më të madh të Nënë Terezës.

Papa Benedikti XVI hapi procesin e Lumturimit dhe të Shenjtërimit të Papa Gjon Palit II, në fillim të këtij viti, proces i përcaktuar në ligjet e Kishës Katolike. Por ajo që dua të them këtu, është se Papa Gjon Pali II do të shenjtërohej si Shenjtor i të gjitha kombeve që duan lirinë, pavarësisht nga besimet e tyre.

Ndaj edhe njëherë, shumë faleminderit zonja Ambasadore për këtë ekspozitë të shkëlqyer që keni organizuar këtu, për të nderuar këtë burrë të madh të kombit tuaj e të mbarë njerëzimit”. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›