E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forlan Myler e Iker Kasijas treshja e arte e Boterorit 2010

Tre lojtarët më të mirë të evenimentit në Afrikën e Jugut marrin zyrtarisht çmimet

Spanjolli Iker Kasijas, uruguaiani Diego Forlan dhe gjermani Tomas Myler kanë marrë zyrtarisht çmimet për paraqitjet e jashtëzakonshme në Kupën e Botës 2010 në Afrikën e Jugut. Në këtë mënyrë, me trofetë e dorëzuar dje në Nyrenberg të Gjermanisë, FIFA ka mbyllur zyrtarisht evenimentin më të rëndësishëm për ekipet përfaqësuese. Forlan dhe Kasijas morën përkatësisht “Topin e Artë” dhe “Dorezën e Artë”, çmime që iu dorëzohen lojtarit më të mirë dhe portierit më të mirë të aktivitetit. Ndërkohë, gara për golashënuesin më të mirë të Botërorit u fitua nga Myler, golat dhe asistet e të cilit u shpërblyen me “Këpucën e Artë”.

Iker Kasijas, kapiteni i Spanjës, deklaroi se ky çmim ishte “mënyra perfekte për të mbyllur një vit më të suksesshëm nga sa e kisha ëndërruar ndonjëherë”, ndërsa shtoi se “shpresoj që ky sukses të vazhdojë edhe në vitin 2011”. Portieri i “furisë së kuqe” i ka përshkruar dy vitet e fundit si të jashtëzakonshme për futbollin iberik dhe për tifozët, pasi një trofe madhor na mungonte prej shumë vitesh (më parë Spanja kishte fituar Europianin në vitin 1964). 29-vjeçari theksoi se triumfet në Euro 2008 dhe Botërorin 2010 ishin një shpërblim për vuajtjet e gjata të tifozëve. Kasijas, i cili pësoi vetëm dy gola në Afrikën e Jugut (në fazën e grupeve) dhe ishte protagonist në suksesin e parë botëror, shtoi: “Është një ndjesi unike, të cilën nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Prej shumë vitesh e ndiqnim këtë ëndërr, ëndrrën e të gjithë Spanjës. Mendoj se këto dy vitet e fundit, fillimisht duke fituar Europianin dhe më Botërorin kanë qenë madhështorë dhe nuk do të harrohen lehtë”.

Diego Forlan me pesë gola dhe Uruguai që u kualifikua deri në gjysmëfinale ishin surpriza e bukur e turneut afrikan. Me fitimin e “Topit të Artë” sulmuesi regjistroi një sukses që më parë ishte arritur nga emrat më legjendarë të historisë: Pele (1970), Johan Krujf (1974), Diego Maradona (1986) dhe Zinedin Zidan (2006). “Natyrisht që ky çmim është i jashtëzakonshëm për mua, megjithatë merita është e punës së të gjithë skuadrës”, tha Forlan. “Golat e mi ishin shumë të rëndësishëm dhe ndihmuan Uruguain të fitonte. Këto rrjeta i kam shijuar dhe do t’i mbaj mend gjatë”. “Treshja e Artë” u kompletua nga 21-vjeçari Myler: talenti i Gjermanisë realizoi 5 gola, aq sa edhe Forlan, spanjolli David Vija dhe holandezi Uesli Shnajder, por ai triumfoi prej numrit më të madh të asisteve (3) gjatë Botërorit 2010. “Është e pabesueshme për mua, që arrita të fitoj çmimin e golashënuesit më të mirë që prej pjesëmarrjes time të parë në Kupën e Botës”, deklaroi lojtari i Bajernit të Mynihut. “Luaja si mesfushor dhe nuk mendoja të shënoja kaq shumë. Jam shumë krenar, pasi u rendita i pari dhe po ndjek gjurmët e fituesve të mëparshëm si Ronaldo, Gerd Myler dhe Zhyst Fonten. Ndihem i lumtur për ‘Këpucën e Artë’, duke qenë se për këtë trofe luftonin disa prej lojtarëve më të mirë në qarkullim, si Vija, Forlan apo Shnajder”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›