Topi: Gjyqësori larg trysnisë politike e ekonomike
TIRANË- Rëndësia e një sistemi gjyqësor të pavarur, të paanshëm, profesional e të painfluencuar nga trysnitë politike apo ekonomike ka qenë në qendër të takimit të sotëm mes kreut të shtetit, Bamir Topi dhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani.
Topi gjatë takimit, vlerësoi rolin e rëndësishëm ligjor dhe konstruktiv të Gjykatës Kushtetuese të Shtetit të Kosovës. Ai theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit të gjithanshëm mes institucioneve ligjore të të dyja vendeve tona në përpjekje për forcimin dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës sipas standardeve më bashkëkohore evropiane.
Të dy bashkë vunë në pah rëndësinë e hartimit dhe zbatimit të projekteve konkrete të gjykatave kushtetuese respektive dhe marrëveshjeve të ndryshme në fushën e drejtësisë mes dy vendeve tona.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani siguroi se institucioni që ai drejton do të vazhdojë të rrisë e të zgjerojë bashkëpunimin me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, si dhe do të punojë akoma më shumë në drejtim të forcimit të institucioneve ligjore dhe shtetit të së drejtës në Kosovë.
