Topi: Heqja e vizave do shënohet me gërma të arta në histori

“Kjo është një ditë që do të memorizohet dhe do të shkruahet me gërma të arta në historinë e një populli që e ka kërkuar më shumë se çdo kush tjetër lirinë”.
Kështu është shprehur Presidenti Bamir Topi në ceremoninë e organizuar nga shkolla politike duke iu referuar lëvizjes së shqiptarëve pa viza.
“Sot është dita për t`u shkëputur, për t`u ndjerë të lirë nga ideologjitë që janë trashëguar, nga frenimet psikologjike për të vlerësuar meritën që kanë pasur pionerët e demokracisë” theksoi më tej presidenti Topi.
Duke iu drejtuar studentëve të shkollës politike kreu i shtetit theksoi se ata do të kontribuojnë për një politikë të integruar duke shtuar se politika do të realizohet më tepër duke përdorur më tepër etikë, motivim, profesionalizëm dhe arsyetim.
Gjithashtu presidenti Topi ka përshëndetur Kosovën për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit.
“E inkurajoj shtetin e Kosovës për të konsoliduar një shtet multietnik dhe të vazhdojë rrugën e saj drejt integrimit europian” theksoi Topi.