Topi-Jahjagës: Vendimi i GDN-së arritje historike për Kosovën

Presidenti Topi ka uruar sot homogen e tij kosovare Atifete Jahjaga për mbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare ndaj Kosovës.
Në mesazhin e tij drejtuar homologes së tij kosovare, kreu i shtetit thekson se ky vendim është një arritje historike për popullin e Kosovës në rrugën drejt funksionimit me pavarësi të plotë të shtetit të Kosovës.
“ I gjithë kombi shqiptar gëzohet për këtë sukses të rëndësishëm që kontribuon direkt në paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë. Kjo arritje tregon se tashmë institucionet e Kosovës po funksionojnë normalisht dhe janë duke u përmbushur mjaft objektiva në konsolidimin dhe legjitimimin e tyre. Kjo dëshmon gjithashtu se klasa politike kosovare ka një pjekuri të madhe në vendimet e saj gjatë momenteve më thelbësore për Kosovën, duke përdorur mjetet institucionale dhe ligjore për koordinimin e zbatimin e reformave kyçe dhe të politikave strategjike të shtetit” thekson Topi.
Kreu i shtetit gjithashtu ka vlerësuar mbështetjen e jashtëzakoshme që ka kryer komuniteti ndërkombëtar në stabilizimin e situatës në vend, pa të cilën sipas tij nuk do të ishte e mundur të kishim këto përparime në ngritjen e një shteti ligjor dhe demokracie funksionale në Kosovë.