E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Jo zvarritjes së “Gërdecit”. Të rikthehet besimi tek drejtësia

Takimet Diplomati britanik, Fërn, u takua me Presidentin Topi dhe Kryeministrin Berisha

Tre vjet nga ngjarja e Gërdecit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka theksuar dje rolin e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës, duke pasur parasysh 3-vjetorin e tragjedisë së Gërdecit dhe zvarritjen e papranueshme të procesit gjyqësor të saj. Rikthimi i besimit te drejtësia ka qenë një ndër çështjet që kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, ka diskutuar me drejtorin për Ballkanin Perëndimor të Ministrisë së Jashtme britanike, Daniel Fërn. Zyrtari i lartë britanik u takua dje edhe me Kryeministrin Sali Berisha.

Gjatë takimit, zyrtari britanik, duke vlerësuar rolin kyç të Presidentit Topi në garantimin e Kushtetutës dhe të pavarësisë së institucioneve kushtetuese, theksoi mbështetjen e Britanisë së Madhe për konsolidimin e sistemit demokratik në Shqipëri, si kusht kryesor për integrimin europian të vendit. Presidenti Topi bëri një përshkrim të zhvillimeve më të fundit në Shqipëri dhe të arritjeve në drejtim të konsolidimit të institucioneve demokratike dhe të pavarësisë së tyre, si dhe të shtetit të së drejtës, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së suksesshme të zgjedhjeve të ardhshme vendore të 8 majit 2011, të cilat duhet të gëzojnë pjesëmarrje masive, të jenë të drejta e të ndershme dhe rezultatet e tyre të administrohen me korrektesë.

Gjatë takimit, Presidenti Topi dhe diplomati Fërn ndanë të njëjtën pikëpamje për sa i përket realitetit të ri dhe të qëndrueshëm në Ballkan, sidomos pas shpalljes së shtetit të pavarur, demokratik e shumetnik të Kosovës dhe rëndësisë së bashkëpunimit gjithëpërfshirës mes vendeve të rajonit, me synim integrimin e plotë në gjirin e familjes europiane dhe strukturat euroatlantike. Diplomati britanik, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, u takua edhe me Kryeministrin Sali Berisha, ku rikonfirmoi se qeveria britanike, në mbështetje të procesit të zgjerimit, përkrah çdo përpjekje të Shqipërisë për integrim. Në takimin me Kryeministrin Berisha u vlerësua gjithashtu angazhimi i qeverisë shqiptare për të zbatuar 12 rekomandimet e Komisionit Europian, në bazë të të cilave do të vlerësohet, nëse Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha i konfirmoi zotit Fërn vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të bërë të gjitha përpjekjet për arritjen e standardeve më të mira ndërkombëtare, në zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›