E Shtunë, 31 Tetor 2026

McIlwham: Garantoni zgjedhje me standarde

“Kjo është ajo çka dëshirojnë qytetarët e Shqipërisë dhe ashtu sikurse e kanë thënë dhe bërë të qartë edhe kolegët e mi, kjo është ajo çka ne kërkojmë”

Ambasadorja Britanike në Tiranë, Fiona McIlëham u prononcua dje publikisht në lidhje me zgjedhjet e ardhshme lokale të 8 Majit, duke vënë theksin te prioritetet e Britanisë së Madhe për Shqipërinë, që kanë të bëjnë me mbështetjen për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe shtetin ligjor. Duke mirëpritur lajmin për regjistrimin e të gjitha partive politike, për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, ambasadorja theksoi se tanimë gjëja më e rëndësishme është që të gjitha palët të angazhohet aktivisht dhe në mënyrë konstruktive, për të garantuar që zgjedhjet e ardhshme të përmbushin standardet europiane dhe ato ndërkombëtare. Ambasadorja nënvizoi faktin se qytetarët e Shqipërisë duan dhe kanë nevojë për zgjedhje të mira, një parlament konstruktiv, llogaridhënie dhe institucione të pavarura, dialog politik të përgjegjshëm dhe bashkëpunim në interes dhe përfitim të të gjithë vendit si i tërë. Kryediplomatja e Britanisë së Madhe në Tiranë e përmbylli deklaratën e saj, duke theksuar se “kjo është ajo çka dëshirojnë qytetarët e Shqipërisë dhe ashtu sikurse e kanë thënë dhe bërë të qartë edhe kolegët e mi, kjo është ajo çka ne kërkojmë, ajo çka dëshiron komuniteti ndërkombëtar të shikojë në Shqipëri”. Zgjedhjet e 8 Majit në realitet pritet të kenë një rëndësi të madhe, për shkak se vetëm pak muaj më vonë, në mesin e shtatorit, do të publikohet raporti vjetor i Bashkimit Europian për Shqipërinë. Në këtë dokument do të kuptohet edhe fati i Shqipërisë, sa i takon kërkesës për marrjen e statusit të vendit kandidat, për anëtar të Bashkimit Europian. Aplikimi i bërë në muajin prill të vitit 2009 u shoqërua me publikimin e opinionit negativ të Komisionit Europian, nëntorin e vitit 2010. Paralelisht u vendosën 12 kërkesa të qarta, të cilat duhen realizuar nga Shqipëria, me qëllim që në progres-raportin e vitit 2011, të mund të ketë një vendimmarrje pozitive të Brukselit për dhënien e statusit kandidat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›