E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Meta peng i mllefit të politikës së vjetër

 

Kryesocialisti ka garantuar se pavarësisht debateve në të majtë, Partia Socialiste do t'i fitojë zgjedhjet

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka mbetur peng i mllefit të politikës së vjetër. Kjo është deklarata që vjen nga ish-aleati i tij, kryesocialisti Edi Rama pas sulmeve që LSI ka ndërmarrë kohët e fundit ndaj partisë Socialiste dhe atij personalisht. I ftuar në emisionin "5 pyetje nga Babaramo", kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka folur në lidhje me debatet kryesore politike në vend, tragjedinë e Gërdecit dhe përgjegjësinë e qeverisë, reformën zgjedhore, amendamentet e PD-së, por edhe për marrëdhëniet me partitë e opozitare në përgjithësi dhe LSI-në në veçanti. Duke u ndalur tek kjo e fundit, Rama ka theksuar se është mllefi dhe interesat personale ato që kanë errësuar arsyen e veprimit të kreut të LSI-së, Ilir Meta. "Ky është miku im, dhe ka qenë aleat i imi, me të cilin kemi bërë beteja të përbashkëta, i cili sot është peng i një mllefi që ka krijuar dhe prodhuar në këtë vend kaq shumë rezultate të papëlqyeshme edhe për vetë Ilirin dhe unë do të doja që të mos ishte ky mllef dhe është për të ardhur keq që ky mllef nuk prodhon asgjë të re", - u shpreh kryesocialisti Edi Rama. Duke iu referuar ngjarjes së ndodhur në Këshillin Bashkiak të Fierit, por edhe deklaratave të fundit të Metës gjatë Konventës së partisë së tij, kreu i PS-së ka vlerësuar se rezultati i gjithë kësaj fushate shpifjesh dhe sharjesh, është pikërisht përçarja e së majtës dhe favorizimi i së djathtës. "Uroj që Ilir Meta ta kuptojë se kjo nuk është rruga jonë dhe se në këtë rrugë ai ka akoma shumë për të bërë, në rast se do të dijë të shohë pa mllef. Jemi të përkohshëm për t'i shërbyer qytetarëve dhe jo të përhershëm", - u shpreh Rama. Pavarësisht përpjekjeve për të vendosur në gjendje të vështirë të majtën dhe shqiptarët, kryesocialisti Edi Rama ka bërë të qartë se PS në vitin 2009 do t'i fitojë zgjedhjet. "PS do të jetë forca e parë në Shqipëri dhe do të jetë forca që do të qeverisi për t'i dhënë fund tranzicionit dhe t'i hapë rrugën zhvillimit të vendit", - theksoi kreu i PS-së, Edi Rama. Ndërkohë që ai për herë të parë ka folur hapur edhe për çështjen e kryeministrit të së majtës, duke theksuar se qytetarët do të votojnë PS-në për programin, ekipin dhe liderin, i cili në rast fitoreje do të jetë kryeministër. "Padyshim që kryeministrin nuk do ta vendosin as kulisat dhe as tavolinat e politikanëve, por shqiptarët, dhe unë do ta di ta lexoj votën e shqiptarëve. Pa padyshim që ka ofertën e saj dhe është shumë e qartë një program, një ekip dhe një drejtues. Juve e keni marrë këtë konformimin qysh ditën që keni lexuar në statutin e PS, ku ka një pjesëz të shkruar ku përcaktohet se kush do të jetë kryeministri dhe se sa do të jenë kandidatët për kryeministër. Pra kryeministri do të vendoset nga shqiptarët", - tha Rama. Rama ka folur edhe për reformën zgjedhore dhe atë kushtetuese, duke theksuar se socialistët do të mbështesin ato propozime të cilat garantojnë një sistem politik të qëndrueshëm dhe demokratik. Megjithëse nuk ka pranuar që të flasë në detaje për propozimet konkrete, kryetari i PS-së ka bërë të ditur se socialistët do t'i votojnë ato propozime që i shërbejnë forcimit të demokracisë. Nga ana tjetër, ai ka folur edhe për ngjarjen e Gërdecit, ku nuk ka nguruar të shprehë dyshime në lidhje me zbardhjen e çështjes nga Prokurorja e Përgjithshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›