Rama: Kompromis pa djegien e kutive

Lideri i PS shprehu dje gatishmërinë për kompromis që s'mund të përfshijë djegien e fletëve të votimit
Paralajmërimi i kryesocialistit: Djegia e fletëve të votimit, ndarja përfundimtare me këtë parlament dhe me këtë qeveri
TIRANË - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shprehu dje sërish gatishmërinë për zgjidhjen e situatës aktuale, por pa djegien e kutive të votimit.
Rama vuri theksin gjithashtu edhe në Rezolutën e miratuar nga Parlamenti Europian, duke theksuar se ky dokument flet qartë për transparencë përmes hetimit të materialit elektoral. Sipas tij, me material elektoral apo zgjedhor, Kodi ynë Zgjedhor nënkupton gjithçka ndodhet në kutitë e votimit përfshirë dhe fletët.
"Por, jemi të gjithë të vetëdijshëm për qasjet e ndryshme ndaj fletëve të votimit, atëherë jemi të gatshëm këtu të bëjmë dhe një kompromis që në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast nuk mund të përfshijë djegien e fletëve të votimit.
Djegia e fletëve të votimit nuk është fundi i çdo përpjekjeje për çdo kompromis, por është edhe ndarja përfundimtare me këtë parlament dhe me këtë qeveri", paralajmëroi Edi Rama.
Ndërkohë që, siç tha kreu i PS, është tërësisht i pavërtetë një spekulim i mbrapshtë, dhe një gënjeshtër e rëndomtë që opozita e paska pasur apo që e ka dhe tani, të drejtën që të bëjnë transparencën e dokumentacionit zgjedhor.
Gjithashtu, kreu i opozitës vlerësoi se PE ka ngritur për herë të parë zyrtarisht në instancën e seancës plenare dhe me një votë bipartizane problemin e krizës politike në Shqipëri.
Për të, amendamenti i parë i votuar me një shumicë të madhe ka nënvizuar se është koha për të gjetur zgjidhjen e krizës politike. Ai theksoi gjithashtu se PE zyrtarisht me votimin e rezolutës ka nënvizuar fatin se zgjedhjet duhet të hetohen.
Më tej, lideri i socialistëve vuri theksin se përmes këtij dokumenti thuhet gjithashtu se "është koha për të ngritur një komision hetimor dhe për të bërë transparencë duke hetuar materialin elektoral". Duke vlerësuar në tërësi rezolutën e miratuar, kryetari i PS tha se katër amendamentet përbëjnë një kambanë alarmi për qeverinë shqiptare si fuqia e shumicës në një parlament, i cili duhet të marrë përsipër zgjidhjen e krizës politike.
Sipas tij, mazhoranca duhet të ngrejë komisionin hetimor me shumicë dhe drejtimin e opozitës, e të bëjë transparencë duke hetuar edhe materialin elektoral.
Ndërsa zhvilloi një analizë për dokumentin e miratuar nga Parlamenti Europian, kryesocialisti apeloi sërish ndaj Kryeministrit, duke i thënë se është e kotë çdo përpjekje për ta zvarritur çështjen e transparencës, për ta tkurrur objektin e hetimit të zgjedhjeve dhe për të fituar kohë, me idenë sa naive aq edhe të dëmshme për vendin se do të tërhiqen nga kauza e tyre.
Ashtu sikundër, vijoi Rama, është po ashtu krejt e kotë që kjo propagandë e shthurur antiopozitare, kundër transparencës, kundër zgjidhjes së arsyeshme për t'i dhënë fund krizës të shtrihet deri në insinuatën se opozita do të bojkotojë zgjedhjet e ardhshme.
Në lidhje me pjesëmarrjen apo jo të opozitës në zgjedhjet lokale të vitit tjetër, kryesocialisti u shpreh qartë se PS nuk do t'i shmanget sfidës, por nga ana tjetër deklaroi: "Ne nuk do të lejojmë që të bëhen zgjedhje që të jenë një përsëritje e farsës së 28 qershorit".