Dhe Casanova i përjetshëm
“Vdekja është për mendimin, një objekt i nevojshëm dhe i pamundur”, thotë filozofi francez Andre Comte-Sponville. “I nevojshëm, sepse e tërë jeta jonë mban vulën e saj, njëlloj si hija që mban asgjëja (nëse nuk do të vdisnim, çdo çast pa dyshim do të kishte një shije tjetër, një tjetër dritë), si pikarratisja, për ne, nga gjithçka.
Por i pamundur, sepse vdekja s’ka ndonjë gjë për të menduar. Po ç’është ajo? Nuk e dimë. Nuk mund ta dimë. Ky mister i fundmë e bën tërë jetën tonë të mistershme, si një udhë që s’dimë ku shpie, ose që e dimë shumë mirë (në vdekje), por që nuk dimë se ç’ka përtej, përtej fjalës, përtej gjësë, - dhe nuk dimë madje nëse ka diçka përtej”.
Të gjithë ne vdektarët mendojmë për vdekjen, sigurisht, dhe ndonëse jo gjithkush e pranon, është shumë e rëndësishme mënyra se si e përjetojmë misterin që atë e vesh; nuk mund të jetohet njëlloj nëse beson se ka një jetë pas vdekjes, apo nëse beson se pas saj hapet asgjëja. Një nga misteret e dashura të fëmijërisë sime ka qenë sënduku i madh i shtëpisë së gjyshërve të mi, vezullues nga tërë ato pafta dhe sumbulla metalike që e zbukuronin: ishte festë për mua kur i shpëtoja vigjilimit të gjyshes dhe arrija me një mijë mundime të hapja kapakun e tij të rëndë; gjithfarëgjërash sodisja brenda tij, por sidomos një kryq të stërmadh e të rëndë me gurë të mrekullueshëm dhe me një zinxhir argjendi... Aty takova për herë të parë edhe mendimin për vdekjen, në formën e një bohçeje prej bezeje të përqumësht, e cila mbante brenda takëmet e plota të veshjes së sime gjysheje. Si të më besonte të fshehtën e jetës së saj, ime gjyshe më rrëfeu se kjo ishte “bohçja e saj e vdekjes”, pra gjithçka do ta vishte për në udhëtimin e saj të fundit; dhe asokohe ajo nuk i kish mbushur të pesëdhjetat. Mbaj mend se që prej asaj dite, jeta ime ndryshoi shumë dhe me kokën prej fëmije (por edhe viteve të mëpastajme) zura të mendoja pareshtur për vdekjen si për një “rast” shumë të veçantë, për të cilin duhet të përgatiteshe njëlloj si gjyshja ime, e cila nuk e ndante nga vetja “bohçen e vdekjes” nëpër udhëtimet që bënte nga një fëmijë i saj te tjetri, qyteteve të vendit. Dhe, pa dyshim, mendimi se duhej përgatitur për të vdekur, më shqetësonte pa masë. “Nëse nuk dini të vdisni, mos e vrisni mendjen: natyra vetë do t’ju informojë menjëherë dhe gjerësisht; ka për ta bërë ajo pikë për pikë këtë punë për ju...” - thotë Montaigne-i. Dhe pastaj vazhdon: “Ne e turbullojmë jetën me përkujdesjet për vdekjen dhe vdekjen me përkujdesjet për jetën. Njëra na mërzit, tjetra na kall datën. Nuk është kundër vdekjes që përgatitemi; kjo është çështje momenti. Një çerek ore pasioni pa pasoja, pa dëmtime, nuk meriton mësues të veçantë. Në të vërtetë, ne përgatitemi kundër përgatitjeve të vdekjes. Mos vallë ime gjyshe përgatitej kundër përgatitjeve të vdekjes me “bohçen e saj të vdekjes”? Nuk e mora dot vesh kurrë nëse ime gjyshe mendonte për një tjetër jetë pas vdekjes, - dhe për këtë merrte mundimin të përzgjidhte veshjen si për një takim ceremonial, - apo thjesht linte gati veshjen e saj, sipas “pëlqimit” të saj, që familja të mos zihej “gafil” nga vdekja, dhe të dinte si të vepronte në çastin e fundit. Për një gjë jam pothuaj e sigurt: kur ime gjyshe i kish kapërcyer të tetëdhjetat, me siguri përjetësia, jo pavdekësia, i ka fshikur mendimin, qoftë edhe për një çast, sepse la si amanet të varrosej me një shami të mrekullueshme byrynxhyku të nusërisë së saj, dhuratë e tim gjyshi dhe shenjë njohjeje e tyre. Sidoqoftë, kjo siguri m’u bë e plotë një mbrëmje me ufëm shtatori të vitit 2009, në Venecia, në squero de San Trovaso, kur mësova legjendën e Casanova-s dhe përgatitjet e tij për të arritur përjetësinë:
Për Casanova-n e madh, i cili kujtohet më tepër për talentin e tij si një joshës i padëgjuar, por edhe për arratisjen e jashtëzakonshme nga Plombs (burgu i tmerrshëm i Pallatit të Dozhëve), shpesh harrohet se ai qe filozof, poet, abat, romancier, eseist, matematikan, ekspert finance, mason, aventurier, libretist, udhëtar, spiun, autor dramatik, violinist, okultist e plot të tjera përgjatë eksperiencës së tij pa kufij, e që na është dhënë në veprat e tij, apo na është transmetuar nga kronikat, shumica e të cilave është kthyer në legjendë. Lindur në Venecia më 2 prill 1725 nga një marrëdhënie jashtëmartesore e nënës së tij Zaneta me kontin Michele Grimani (drejtor i teatrit ku ajo luante së bashku me të shoqin), nuk dihen shumë gjëra për fëmijërinë e tij, përveç faktit që u rrit me të gjyshen nga e ëma, Marzia-n. Megjithatë, në moshën tetëvjeçare, jeta e tij mori një kthesë të parë drejt “okultes”, kur duke u rrekur ta shëronin nga një sëmundje e mistershme (e cila asnjëherë nuk u vërtetua se ç’qe), që e detyronte ta mbante përherë gojën hapur, gjyshja e çoi te një magjistare e Muranos. Siç e rrëfen vetë Casanova në kujtimet e tij: “Ajo hapi një baule, më mori në krahë dhe më futi brenda, duke më porositur që të mos kem frikë”. Këtë çast, Casanova, i cili nuk ka asnjë kujtim të mëparshëm për fëmijërinë e tij, e quan si një “rilindje”, një lloj pagëzimi nën shenjën e magjisë, apo një gjurmë që karakterizoi tërë ekzistencën e tij. Nuk qe rastësi që Casanova u mor gjatë tërë jetës së tij me praktika ezoterike, të cilat përherë e kishin mrekulluar, ndonëse ishte paksa skeptik. Këto praktika i shkaktuan probleme nga Inkuizicioni. Ndonëse s’ka prova të shkruara, flitet po ashtu për bashkëpunimin e tij me mikun e vet Lorenzo Da Ponte – libretist i Mozart-it, - për shkrimin e tekstit Don Giovanni, për teatrin italian të Pragës. Përpara viteve të rënies dhe vrasjendërgjegjes, të cilat u përmbyllën nga vdekja e tij në syrgjyn, Casanova u rikthye shumë herë në qytetin e tij të lindjes dhe vizita e fundit qe ajo e 21 qershorit 1783. Po atë muaj, pesë vjet më parë, veneciani pat takuar fshehurazi Giuseppe Balsamo-n, kontin mitik Cagliostro, të cilin e pat njohur në Aix-en-Provence më 1769. Nëse i besojmë legjendës, Cagliostro mbërriti në Venecia incognio, në çastin kur fama e tij si magjistar dhe profet qe në majat e saj. Në squero de San Trovaso, natën, të dy, duke ardhur nga “felze” (streha antike e gondolave) u takuan fshehurazi për të shkëmbyer eksperiencat dhe misteret e jetës së përjetshme. Pak dihet për këtë takim dhe për ç’erdhi më pas: ajo që dihet me siguri është se në atë epokë, Cagliostro-ja nuk e fshihte aspak faktin se kishte formulën e ujit të rinisë (të përtëritjes) dhe të gurit filozofal. Sipas premtimeve që ai u bënte ndjekësve të vet të Massoneria Egizia (lozha e fshehtë që ai pat krijuar, emri i së cilës evokonte me nostalgji vitet e udhëtimeve të rinisë së tij midis Lindjes së Mesme dhe Afrikës), qe në gjendje që, nëpërmjet një prove, t’u siguronte personave që patën humbur ndjesën, për shkak të mëkatit origjinal, një jetë të paktën prej 5557 vjet. Legjenda thotë se, ndryshe nga miku tij Cagliostro, Casanova është ende gjallë edhe sot e kësaj dite, pas përgatitjeve të shumta dhe vënies në praktikë të udhëzimeve të duhura për të zgjatur ekzistencën e tij. Ka vdekur zyrtarisht më 4 qershor 1798 në Duchcov të çekisë, dhe është varrosur, sipas rrëfimeve, në kishën e vogël ngjitur me Santa Barbara-n, porse sot nuk gjendet asnjë gjurmë nga varri i tij. Legjenda thotë se pak pas revolucionit francez që fshiu tërë botën e kurtizanëve, që ishte edhe bota e tij, Casanova vendosi të rivendosej në Venecia, si një person anonim; dhe që prej asaj kohe, - venedikasit e besojnë fuqishëm këtë, - Casanova “vdes” për të rilindur përnjëherë në trupin e një venedikasi të porsalindur atij çasti.
#