E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Kosova të përfshihet në procesin e vizave

TIRANë- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shprehu sot gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni, nevojën e përfshirjes së Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, në kuadër të procesit të integrimit europian.
“Shqipëria mbështet përpjekjet e institucioneve kosovare për të realizuar reformat që do t’i mundësonin Kosovës t’i bashkohet pjesës tjetër të rajonit në rrugën e integrimit evropian. Në këtë kontekst i bashkohemi mendimit se edhe Kosova duhet të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave, në mënyrë që në Ballkan të mos mbeten ‘njolla leopardi’ përsa i përket lëvizjes së lirë të njerëzve", theksoi Presidenti Topi.
Në kuadër të vizitës dyditore që po zhvillon në Tiranë, kreu i diplomacisë kosovare, në takimin me Presidentin e Republikës shprehu mirënjohjen për ndihmesën dhe përkrahjen e mbarë shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij, që ia kanë lehtësuar shumë punën Kosovës në kapërcimin e sfidave, me të cilat është përballur.
Kreu i shtetit vlerësoi maturinë e klasës politike dhe udhëheqjes kosovare në konsolidimin e institucioneve të pavarura demokratike, si dhe arritjet e deritanishme të diplomacisë së re kosovare, sidomos përsa u përket rritjes së numrit të njohjeve ndërkombëtare nga sa më shumë shtete.
Duke shprehur vullnetin për një zhvillim më intensiv të marrëdhënieve të gjithanshme, sidomos atyre ekonomike midis Shqipërisë e Kosovës, Presidenti Topi përshëndeti nënshkrimin e kontratës midis Qeverisë së Kosovës dhe firmës Bechtel-Enka për fillimin e autostradës Morinë-Merdarë, e cila, së bashku me funksionimin e plotë së shpejti të autostradës Durrës-Kukës-Morinë, do t’i japë dimensione të reja bashkëpunimit dypalësh dhe atij rajonal.
Të dy personalitetet e larta ndanë të njëjtin mendim përsa i përket orientimit të qartë dhe të ardhmes së sigurtë euro-atlantike të të gjitha vendeve të rajonit pa përjashtim, të bazuar mbi një bashkëpunim të frutshëm e konstruktiv.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›