E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Kosova të bashkëbisedojë me Serbinë

TIRANE-Presidenti shqiptar, Bamir Topi, në mbyllje të samitit të presidentëve të rajonit, që u mbajt në Prizren tha në intervista për disa televizione se “Shqipëria është shumë afër marrjes së vendimit zyrtar për lëvizjen e lirë të njerëzve”.
“Edhe ky takim vjen si një risi, si një vazhdimësi e takimit të Vlorës dhe të Ohrit. Kjo ka qenë arsyeja që sot ne kemi diskutuar një tematikë të veçantë, atë të lëvizjes së lirë të njerëzve. Maqedonia dhe Mali i Zi e kanë arritur në 1 janar të vitit 2010. Shqipëria është shumë afër marrjes së vendimit zyrtar”

Sipas Topit, takimi i katër presidentëve tregon që situata në rajon është ndryshe.
“Ka filluar një komunikim njerëzor, një komunikim institucional, besoj edhe personal, në funksion të përmirësimit të marrëdhënieve, dhe mund t’ju them që brenda një viti ka pasur arritje tepër të rëndësishme në komunikimin midis vendeve tona”.

Ideatori i Samitit të Prevallës së Prizrenit, Topi u shpreh gjithashtu për një dialog mes Kosovës e Serbisë.
“Edhe Kosova duhet të bashkëbisedojë me Serbinë, dhe po ashtu e kemi thënë, edhe në takime, dhe në konferencë për shtyp, duke filluar me një stad të respektimit të sovranitetit të secilit vend, si vend të lirë, të pavarur dhe pastaj çështjet që mund të diskutohen në tavolinë, mund të jenë çështje të karakterit politik, çështje të shkëmbimeve ekonomike, për marrëdhëniet doganore, çështjeve fiskale, pra, sikurse ekzistojnë marrëdhëniet midis dy vendeve fqinjë”.

Në Samit u vu re mungesa e Presidentëve të Serbisë, Kroacisë. I pyetur rreth kësaj, Topi theksoi se pavarësisht kësaj, Ballkani e ka treguar se punon mbi bazën e një lidershipi që orientohet drejt integrimit europian perëndimor. Kreu I shtetit shqiptar theksoi se Shqipëria është e hapur gjithmonë për bisedime me Serbinë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›