Topi: Kriza? Nuk mungojnë zgjidhjet

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka apeluar dje se krerët e mazhorancës dhe të opozitës nuk duhet të diskutojnë në distancë në lidhje me përmbajtjen e një marrëveshjeje politike pa nisur të takohen fizikisht mes tyre. Kreu i shtetit shqiptar është shprehur dje pas një aktiviteti në kuadër të jetimëve, edhe për gjendjen politike në vend. Topi nuk ka pasur hezitim për ilaçin e zgjidhjes së impasit që po mban peng ecjen përpara të vendit: të riinstalohet tryeza e politikës. “çelësi i suksesit është dialogu politik, afrimi i dy palëve, së pari për të ri-instaluar dialogun, pastaj për t’u futur në ata terma të cilët mbi të gjitha janë mekanizma ligjorë. Pra, sot ne nuk jemi në një moment kur kemi mangësi strukturash institucionale dhe mungesë dijesh. Unë mendoj që janë të gjitha instrumentet për të shkuar drejt zgjidhjes së një krize, e cila së paku për mekanizma ligjorë dhe institucionalë nuk mungon. Pra duhet edhe vullneti dhe i inkurajojmë”, u shpreh Topi. Numri një i Republikës e ka bërë të ditur megjithatë, se në zyrën e tij nuk po zhvillohet asnjë negociatë për zgjidhjen e krizës. Dhe kjo e ka një arsye, pasi Topi e ka shprehur dhe më parë se nuk do të ketë tryezë thjesht për formalitet, por vetëm nëse palët do të shprehin se ekziston vullneti për arritjen e një marrëveshjeje. Duke komentuar debatin e zhvilluar ditët e fundit në lidhje me interpretimin e Komisionit të Venecias për çështjen e fletëve të votimit, Topi theksoi se dy forcat politike i kanë mekanizmat për ta bërë një gjë të tillë. “Problemi është më se i qartë. Këtu nuk është problemi nëse ua kërkojnë, është problemi që ekzistojnë të gjitha mundësitë e institucioneve, e partive politike, e 28 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Lexoni Kushtetutën, lexoni ligjet sesi mund të vihet në lëvizje Gjykata Kushtetuese dhe pastaj për të kaluar në Komisionin e Venecias dhe si mund të vihet në lëvizje ky komision. Pra janë gjëra shumë të qarta”, theksoi kreu i shtetit. Ky ka qenë apeli i dytë brenda disa ditëve i Presidentit në lidhje me instalizimin e dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës. Një javë më parë, Topi deklaroi se ende nuk ka ardhur një draft për zgjidhje në zyrën e tij megjithëse ka pohuar se ekzistojnë kontakte intensive. Presidenti bëri të ditur se opsionet e kompromisit për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe mandej ngrirjen e kutive për fletët e votimit janë vetëm negociata të ndërtuara mbi komunikime personale dhe jashtë çdo konteksti institucional. “Unë mund të kem në tryezë 1000 variante, por për shkak të detyrës nuk mund të flas”, tha Topi. Faktikisht, një ditë pas kësaj deklarate të kreut të shtetit, ka dalë Kryeministri Berisha që ka deklaruar se nuk ka draft në tryezën e tij për zgjidhjen e krizës. Pas qëndrimit të Topit një javë më parë nuk është zhvilluar më asnjë takim mes tij dhe ambasadorëve perëndimorë në Tiranë, siç kishte ndodhur pas kësaj deklarate.
#