Poçi: Roli im te treni elektrik
Ish-ministri i Transporteve në qeverinë “Nano”, Spartak Poçi, sqaron pozicionin e tij në projektin amerikan për ndërtimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, që më pas u kthye në betejë ligjore mes “General Elektrics” dhe qeverisë aktuale. Në intervistën për “Shqip”, Poçi vë në dukje se të gjitha procedurat për lidhjen e kontratës janë kryer sipas ligjit dhe se finalizimi i projektit, pra ndërtimi i linjës kishte mbetur tashmë në duart e qeverisë së re të dalë pas zgjedhjeve të qershor 2005. Ish-ministri thotë se Berisha e kishte pranuar kontratën, madje kishte kërkuar zgjerim të projektit, por më pas ndërroi mendje, duke e prishur në mënyrë të njëanshme, pa e kaluar më parë në Kuvend. Kjo solli hapjen e gjyqit me ‘General Electrics’, që më pas u humb nga pala shqiptare, e cila duhet të paguajë një dëmshpërblim prej 20 milionë dollarësh.
Ministria e Transporteve ju ka akuzuar direkt si përgjegjësi për humbjen e gjyqit me amerikanët e “General Electrics”, me pasojë dëmin prej 12 milionë USD. Cili do të ishte qëndrimi juaj?
Projekti me “General Electrics” kishte nisur të negociohej në kohën e qeverisë “Majko” dhe synonte modernizimin e rrjetit hekurudhor. Gjendja e hekurudhave ishte tepër e rëndë, me një barrë të madhe për buxhetin që e subvenciononte çdo vit, me rreth 600 milionë lekë të reja, situatë që vijon edhe sot. Duke pasur parasysh këtë situatë, në qeverinë “Nano” u intensifikuan negociatat dhe u kërkua që projekti të ishte sa më bashkëkohor, modern, duke i futur hekurudhat në strategjinë e prioriteteve. Në këto kushte, me ftesë të qeverisë shqiptare u paraqit kompania “General Electrics” (GE), duke nënshkruar me të një marrëveshje paraprake të përgjithshme bashkëpunimi, ku përveç hekurudhës ishte në plan edhe TEC-i i Fierit, që më pas nuk u realizua. Pas marrëveshjes të firmosur nga qeveria “Majko”, nisi përgatitja e kontratës paraprake, tashmë kur qeveria drejtohej nga Fatos Nano, ku pjesë e punës ishte GE dhe tri ministritë e linjës, Transportet që preknin sektorin, Ekonomia që kishte pronën dhe Financat që negocionin kredinë. Pas kësaj, qeveria e miraton kontratën paraprake, bashkë me dy pikat e saj, tepër të rëndësishme për t’u sqaruar. E para përcaktonte me prokurim të drejtpërdrejtë GE-në si firmë dhe e dyta nënvizonte se bashkëpunimi me amerikanët niste direkt, pas kontratës paraprake të miratuar nga qeveria dhe finalizohej me kontratën definitive, pasi të ishte ratifikuar nga Parlamenti. Të gjitha shpenzimet për studimin, hartimin e projektit të fizibilitetit etj., i merrte përsipër GE-ja. Palës shqiptare i rezervohej e drejta se në rast se nuk ishte dakord me këtë projekt, mund të hiqte dorë duke mos e miratuar. Gjithashtu, GE pranoi dhe kushtin që kontrata mund të kalonte në qeveri, ndërsa nga Kuvendi të rrëzohej, duke pasur parasysh opozitën, dhe në këtë mënyrë të mos kishim penalizime. Pra GE e kishte të qartë rrugën që do të ndiqej dhe gjithçka u sanksionua në kontratë. Pra në të dyja rastet qeveria ishte e zhveshur nga detyrimi financiar dhe juridik. Pas përfundimit të kontratës paraprake, të miratuar nga qeveria, palët nisën punën për hartimin e kontratës përfundimtare, e cila ishte e ndarë në dy pjesë, ose me dy nënkontrata. E para lidhej me pjesën komerciale dhe teknike dhe e dyta ishte financiare, deri te finalizimi i kredisë. Në fillim u vijua me fazën e parë, që u finalizua në fund të vitit 2003, duke u miratuar nga qeveria. GE kërkoi që kjo pjesë e kontratës të kalonte edhe nga Kuvendi, në mënyrë që të kishte më shumë garanci dhe të mos humbiste kohë dhe para. U ra dakord të veprohej duke ia kaluar për miratim Kuvendit, ku komisionet parlamentare e votuan pro dhe mbetej finalizimi për në seancë. Në këto momente, kur Parlamenti po vendoste datën e miratimit në seancë, ndërhyn Banka Botërore, që kërkoi një tjetër studim fizibiliteti, ndryshe nga ai i paraqitur nga GE, në mënyrë që të shmangej konflikti i interesit. Qeveria e pranoi sugjerimin e BB-së dhe nisëm procedurat e prokurimit për gjetjen e kompanisë së pavarur që do bënte studimin e fizibilitetit. Në të njëjtën kohë, BB kërkoi që derisa të hartohej studimi i fizibilitetit, kontrata të mos miratohej në Kuvend, sepse nuk kishte kuptim. Ne ramë dakord, por na u desh të sqaronim GE-në, të cilët ishin keqkuptuar, pasi e morën vesh lajmin nga mediat. Në këtë kohë, zhvillohet komunikimi im me kompaninë GE, që Olldashi pretendon se ka shkresa, kurse unë them që kam biseduar në mënyrë verbale, pasi nuk kishte asnjë problem, ku u them që të vijonin punën për atë pjesë të kontratës që nuk prek çështjen e fizibilitetit, pra që ishte pjesa e financimit, bankat etj. Pas tre muajsh punë, u hartua fizibiliteti, sakaq kontrata e dytë (kredia) ishte bërë gati, e në këto kushte, qeveria i solli të dyja bashkë për miratim.
Ndërhyrja juaj ishte për të qetësuar investitorin?
Natyrisht, më duhej të sqaroja, jo vetëm GE-në, por edhe bankat financuese, pasi bëhej fjalë për një kredi me vlerë 65 milionë dollarë. Në atë kohë dy ishin bankat që ranë dakord, “EXIM Bank” dhe SAC. Pra, u thashë se ku qëndron puna, duke u treguar me detaje planin, ndërsa u dhashë garanci të vijonin me kontratën, që e përsëris, nuk lidhej direkt me fizibilitetin, por çështje të tjera. Pas kësaj, qeveria i miraton të dyja kontratat, dhe ia kalon për ratifikim Parlamentit. Në këtë periudhë, Parlamenti shpërndahet për shkak të zgjedhjeve dhe qeveria priti konfirmimin e mandatit. Kishte mundësi ta miratonte, por për të mos i bërë punët në ditët e fundit të Parlamentit dhe për të shmangur kritikat nga opozita priti të mbylleshin zgjedhjet dhe qeverinë e re. Siç dihet, qeveria “Berisha” e kthen mbrapsht kontratën duke mos e kaluar në Parlament. Prishja e njëanshme e kontratës, pa lënë Parlamentin të shprehej me votë na penalizoi në gjyqin që u zhvillua. Në rast se Berisha do lejonte vet parlamentin ta rrëzonte kontratën, atëherë nga GE nuk do kishim asnjë penalizim.
Si erdhi ankesa nga GE?
Ajo që nuk kuptoj lidhet me ndryshimin e qëndrimit të demokratëve. Pas ardhjes në pushtet Berisha foli pozitivisht për projektin e GE-së, madje te një mbledhje në Durrës me donatorë, propozoi që linja hekurudhore Tiranë (Rinas)-Durrës, të shtrihej deri në Kavajë. Që projekti do të vazhdonte, u konfirmua edhe një herë pas vizitës që Kryeministri Berisha bashkë me tre ministra pati në zyrat e kompanisë në Itali. Por, ende pa u mbyllur një muaj nga kjo vizitë, tre ministrat e linjës i dërgojnë letër GE-së, ku shprehnin tërheqjen nga marrëveshja. Këtu fillon gabimi i palës shqiptare.
Pra akuza ndaj jush nuk qëndron?
Jam ende i paqartë se çfarë kërkon ministria nga unë dhe ku konsiston akuza apo dëmi. E përsëris që i gjithë gabimi ishte i qeverisë “Berisha”, e cila e anuloi kontratën, pa e kaluar më parë në Kuvend, sikurse e parashikojnë rregullat minimale ndërkombëtare. Berisha mund të dilte i “palagur” nga kjo situatë duke e çuar kontratën në Parlament dhe me shumicën që kishte, e “rrëzonte”, duke mos i dhënë asnjë shkas GE të na hidhte në gjyq, pasi e tillë ishte marrëveshja.
Jeni thirrur nga qeveria shqiptare për sqarime dhe si do veproni ndaj akuzës që u është hedhur?
Kam pasur një takim me juristen nga Avokati i Shtetit, ku kërkonte sqarime rreth gjyqit me GE dhe ku më është thënë se amerikanët disponojnë shkresa me firmën time ku unë u kërkoj vijimin e punimeve, pavarësisht se Parlamenti nuk e kishte ratifikuar. Sa u takon shkresave, edhe mund të ketë, ku i kërkoj vijimin e projektit se punën nuk mund ta linim në mes për një çështje që nuk prekte pjesën tjetër të kontratës. Ia bëra të gjitha shpjegimet juristes së Avokatit të Shtetit, e cila kishte pak dijeni për çështjen, madje as kontratën nuk e kishte lexuar. As për dëmin 12 milionë dollarë nuk jam në dijeni dhe nuk e kam idenë se për çfarë bëhet fjalë. Sa i takon akuzës pres të veprohet normalisht me prokurorinë.
#