Roma përgjigjet: Malaria u importua nga Greqia
Aktualisht në vendin tonë nuk ka asnjë vatër infeksioni të sëmundjes së malaries. Arsyetimi dhe konfirmimi për të qenë të sigurt transmetohet nga Ministria e Shëndetësisë, pasi ka vërtetuar katërçipërisht se paraziti i malaries nuk është me vendbanim, as rezident dhe as me “pushime” në Shqipëri.
Laboratori i Romës ka kthyer përgjigje në rrugë operative se nuk është rasti për të qenë të shqetësuar lidhur me sëmundjen e malaries. Në vendin tonë nuk ka vend për panik apo alarm, jo vetëm se përgjigjja e përfundimeve të analizave sqaronte se malaria u importua nga Greqia, por edhe sepse kampionët e analizave të familjarëve dërguar për ekzaminim rezultuan jo bartëse të sëmundjes. Fshati Zall-Herr është dezinfektuar, ndërkohë që pacienti i dytë i dyshuar me këtë sëmundje, i cili vinte po nga kjo zonë, e ka kaluar temperaturën e lartë dhe është jashtë çdo dyshimi për malarie.
Gjendja e pacientitNjë tjetër lajm i mirë nga Shërbimi i Infektivit në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, vjen nga mjekët të cilët kanë pasur nën vëzhgim pacientin 17-vjeçar. Gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar ndjeshëm, duke qetësuar si familjarët, ashtu edhe stafin mjekësor. Sipas mjekëve, pacienti kishte pasur problem me temperaturën e lartë, si dhe shqetësime të tjera, të shkaktuara nga sëmundja. Gjendja e stresit, por edhe problemet me përshtatjen në kushtet e izolimit pothuajse janë larguar jo vetëm nga shërbimi, por edhe pas konfirmimi të analizave se paraziti i malaries nuk paraqet rrezik dhe në këtë rast nuk ishte as rezistent karshi medikamenteve dhe mjekimit.
SëmundjaSëmundja e malaries shkaktohet pas pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Malaria është një sëmundje infektive, shkaktuar nga parazitët protozoarë. Zakonisht, njerëzit infektohen nga malaria pasi pickohen nga një mushkonjë e infektuar e gjinisë femërore, Anopheles. Simptomat janë dhembje koke, vështirësi në frymëmarrje, takikardi. Ndërkohë që simptoma të tjera janë ethet, temperatura, të vjellat, rrufa dhe në raste të rënda kalon në koma dhe vdekje. Nisur nga rasti i parë i konfirmuar me malarie, të afërmit e pacientit, shokët apo prindërit që i kanë qëndruar pranë, kanë qenë kontingjent për survejim. Mjekët e infektivit kanë marrë kampionë ekzaminimi, ndërkohë që është kërkuar marrja e masave edhe më gjerë: hetim epidemiologjik në Zall-Herr si dhe dezinfektim të fshatit, procedurë e cila ka përfunduar ditën e shtunë.
Në kuadër të masave është mbajtur nën vëzhgim edhe një tjetër rast që u paraqit në infektiv dy ditë më parë. Bëhej fjalë për një djalë po nga Zall-Herri, i cili paraqiti manifestime dhe shenja të malaries. Por rezultatet e analizave hodhën poshtë çdo dyshim për prekje nga kjo sëmundje. Përfundimit Ministria e Shëndetësisë ka dhënë garanci se malaria nuk duhet të jetë në rendin e shqetësimeve të popullatës.
#