E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Lajçak: Zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike

Kreu i shtetit Bamir Topi është takuar sot me të dërguarin e BE-së Miroslav Lajçak. Në faqen zyrtare të presidencës theksohet se në takim kryetari i Shtetit shqiptar, pasi shprehu mirënjohjen për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për thellimin e demokratizimit të vendit dhe konsolidimit të institucioneve të pavarura kushtetuese, vuri në dukje domosdoshmërinë e përgatitjes sa më të mirë të procesit dhe infrastrukturës për zgjedhjet vendore të 8 majit.

“Të dy bashkëbiseduesit në këtë takim u fokusuan në situatën politike të krijuar së fundmi në vendin tonë duke nënvizuar nevojën dhe rëndësinë e gjetjes sa më të shpejtë të dialogut konstruktiv institucional mes forcave politike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të pushtetit vendor në mënyrë që ato të jenë sa më demokratike, të drejta, korrekte, sipas standardeve dhe që rezultatet të pranohen nga të gjitha palët” thekson presidenca.

Sipas presidencës Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e madhe të zgjedhjeve jo vetëm për të ripërtërirë përfaqësuesit e organeve drejtuese të pushtetit vendor, por dhe për të treguar aftësinë dhe pjekurinë e partive politike dhe të votuesve shqiptarë në realizimin e zgjedhjeve të drejta dhe në përputhje me standardet e duhura demokratike.
“Kreu i Shtetit shqiptar përsëriti qëndrimin e tij të palëkundur për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore, të dekretuara për t’u mbajtur më 8 maj 2011, sipas të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore” thuhet në deklaratën e presidencës.

Nga ana e tij i Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Miroslav Lajçak ndau të njëjtin mendim lidhur me përgatitjen dhe zhvillimin e suksesshëm, sipas standardeve dhe afateve kushtetuese dhe ligjore të zgjedhjeve vendore të 8 majit duke nënvizuar domosdoshmërinë që faktorët politikë shqiptarë të përgatisin së bashku e të realizojnë me sukses zgjedhjet vendore të lira, të drejta e demokratike. “Zoti Lajçak theksoi gjithashtu se respektimi i institucioneve të shtetit, i zgjedhjeve dhe pranimi i rezultateve është shprehje e demokracisë dhe e ekuilibrit, me një rëndësi të jashtëzakonshme për demokracinë aktuale dhe të ardhmen europiane të vendit dhe mbarë popullit shqiptar” thekson më tej presidenca.

Gjithashtu presidenca thekson se Lajçak vlerësoi gjithashtu rolin dhe veprimtarinë konstante të Presidentit Topi, sidomos mesazhet dhe apelet e tij të përsëritura, të cilat janë në sintoni të plotë edhe me apelet e Bashkimit Evropian dhe të partnerëve ndërkombëtare për ta vendosur të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe popullit shqiptar mbi interesat partiake dhe individuale, cilatdo qofshin ato.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›