E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Mbi 20 vjet politika ka ushtruar presion ndaj drejtësisë

Në mbi 20 vjet demokraci, ndaj drejtësisë është ushtruar presion politik. Presidenti i Republikës Bamir Topi ka drejtuar gishtin nga politika si përgjegjësen kryesore ndaj gjendjes së gjyqësorit dhe prokurorisë shqiptare. Deklarata e presidentit Topi është bërë gjatë ceremonisë së dekorimit me "Medaljen e Mirënjohjes" përfaqësuesen e OPDAT në vendin tonë Cynthia Eldridge. Apeli i presidenti Topi është që politika të mundësoj legjislacionin për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe të bëhet diferenca e njerëzve të anshëm dhe të paanshëm që punojnë në këtë sistem.
 

“Neve u jemi shumë mirënjohës dhe kam bindjen që të gjithë pushtetet në Shqipëri, do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për t`i dhënë më shumë dinamizëm dhe më shumë profesionalizëm, më shumë integritet dhe pavarësi në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Ky mesazh shkon si tek politika për të bërë të mundur pa humbur kohë me dinamizëm reformimin e mëtejshëm të të gjithë atyre ligjeve bazale që ndërtojnë dhe mbajnë gjallë sistemin e drejtësisë, por shkojnë edhe tek trupa e prokurorëve, gjyqtarëve, për t`i dinamizuar ato në punën e tyre, për të qenë të paanshëm, të drejtë, profesional dhe me integritet. Shqipëria është përpara sfidës së radhës për integrim. Padyshim, progresi i bërë, arritjet tashmë njihen, por edhe ato detyra dhe detyrime që ne kemi për t`i përmbushur, lidhen së pari me funksionimin në standardet më të larta të shtetit ligjor. Por, e gjithë kjo punë, sigurisht bëhet çdo ditë, me shumë profesionalizëm, me shumë dashuri, me shumë komunikim nga njerëzit e thjeshtë të sistemit të drejtësisë. Unë dëshiroj të vlerësoj këtu para jush sot të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë të ndershëm, me integritet, të paanshëm, që i bëjnë nder sistemit të drejtësisë. Por, është koha më shumë se kurrë për të bërë diferencën me njerëzit e pakualifikuar, me njerëzit e anshëm, dhe me njerëzit të cilët tentojnë të futen në afera korruptive dhe në sistemin e drejtësisë. Kjo është detyrë, natyrisht është detyrë e vështirë. Por është e mundur sepse kjo betejë duhet të zhvillohet nga të gjithë, jo thjeshtë nga krerët e institucioneve, por edhe nga mjediset e profesionistëve, qoftë në prokurori, qoftë në sistemin e drejtësisë” theksoi Topi
 

Në këtë cerermoni të organizuar për nder të saj, Cynthia Eldridge përcolli përshtypjet për të gjithë bashkëpuntorët e saj duke filluar me kryeprokuroren Ina Rama, gjyqarët dhe bashkëpuntorët e saj. "Ndihem shumë e nderuar që qëndroj këtu përpara jush sot për të pranuar Medaljen e Mirënjohjes. Dëshiroj të falenderoj Shoqatën e Prokurorëve dhe të gjithë prokurorët që më kanë rekomanduar për këtë medalje! Në të vërtetë, e shoh këtë si një vlerësim për OPDAT-in dhe jo për mua personalisht. `OPDAT-i` ka pasur prokurorë të shkëlqyer që kanë punuar përpara meje, veçanërisht Dejvid Ljuis dhe Melisa Shrajbman. Çfarëdo suksesi që unë kam arritur, bazohet në themelin e hedhur prej tyre" tha Eldridge

Edhe Ambasadori amerikan Aleksander Arvizu tha se ky vlerësim i është dhënë një personi që punon në Departamentin e Drejtësisë por që është dhe një përfaqësuese e denjë e ambasadës amerikane. "Dëshiroj të falënderoj të gjithë prokurorët që gjenden këtu në këtë sallë, Prokuroren e Përgjithshme, si dhe të gjithë ju, dua t`ju falënderoj që keni rekomanduar por dhe për mbështetjen që i keni dhënë Sindit dhe punës së saj, që ka kryer gjatë këtyre katër viteve. Jam krenar për punën që Sindi bën, por gjithashtu jam krenar për punën që gjithsecili nga Ambasada amerikane bën. Shoh këtu në sallë shumë persona nga kjo zyrë. Kështu që dëshiroj t`ju falënderoj ju, në sy të Presidentit, t`ju falënderoj dhe njëherë të gjithëve për punën që ju bëni"

Në ceremoninë e zhvilluar në selinë e Presidencës mori pjesë edhe kryeprokurorja Ina Rama, kryetarja e gjykatës së lartë Shpresa Beçaj si dhe prokurorë e gjyqtarë të njohur.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›