E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Mungesa e dialogut solli krizën institucionale

21/01/2011  Presidenti i Republikës takon trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri

“Kam shpresë në rikthimin e drymës së bashkëpunimit institucional”

Presidenti i Republikës Bamir Topi pranoi dje në një takim me ambasadorët e akredituar në Tiranë se viti 2010 ishte një vit i disa sukseseve për Shqipërinë, por që u karakterizua nga klima e ashpër politike. “Përgjatë gjithë vitit që sapo lamë pas, na ka shoqëruar një keqardhje jo e vogël përsa i përket klimës politike në Shqipëri. Mungesa e dialogut, debati politik i tensionuar, mosmiratimi i disa ligjeve të rëndësishme për shkak të mosgjetjes së konsensusit – të gjitha këto kanë sjellë jo pak vështirësi në jetën institucionale të vendit”, ka thënë Presidenti Topi. Ai ka shtuar më tej besimin se është e rëndësishme që politika të zhvillohet në një mjedis ku standardet demokratike të jenë kryefjalë e çdo lloj komunikimi, që ndjeshmëria për problemet jetike, me të cilat përballet shoqëria shqiptare të jenë temat kryesore të debatit dhe rrugët e zgjidhjeve dhe alternativat politike të dominojnë interesin publik. Politika institucionale e ka detyrim parësor të kthejë sa më shpejt dimensionet demokratike në komunikim dhe vendimmarrje. “Unë mbetem me shpresë dhe besim për një frymë komunikimi që do të mundësojë e garantojë një klimë të qetë parazgjedhore dhe administrim të ndershëm e të paanshëm të zgjedhjeve të 8 majit të këtij viti, për të rikthyer frymën e bashkëpunimit korrekt institucional midis qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor, mungesa e të cilit ka sjellë në disa raste një pamjaftueshmëri të dukshme në realizimin e projekteve të përbashkëta – ku më i dëmtuari rezulton interesi qytetar”, ka pohuar më tej kreu i shtetit. Topi ka nënvizuar se pas liberalizimit të vizave në 2010 dhe përmbushjes së angazhimeve si vend anëtar i NATO-s, tashmë Shqipërisë i mbetet si sfidë për vitin 2011, marrja e statusit vend kandidat në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›