Kostot bankare, Fullani: Mund të jenë më të ulëta
21/01/2011 Guvernatori: Mbledhja e kredisë së keqe ka nevojë për përmirësime ligjore
Kostot e shërbimeve bankare mund të jenë më të ulëta. Në këtë përfundim ka arritur Banka e Shqipërisë pas analizave të saj, të cilin guvernatori i BSh-së, Ardian Fullani e bëri publik dje gjatë një takimi në universitetin e Shkodrës. Ai tha se sektori bankar duhet të jetë më transparent me klientët, ndërsa vetë klientët duhet të jenë më të kujdesshëm për të zgjedhur mes bankave shërbimin më të mirë.
Shërbimet bankare
Banka qendrore po ndërton metodologji për përcaktimin e kostos efektive të kredisë dhe përcaktimin e saktë të detyrimeve kontraktuale në marrëdhënien me klientët. “Bankave u kërkohet të ofrojnë të gjithë informacionin dhe shpjegimet e nevojshme për klientët e interesuar”, tha Fullani. Bankave u është kërkuar gjithashtu të përcaktojnë koston e shërbimeve bankare për pagesat dhe transfertat. Kështu klientët mund të krahasojnë kushtet që ofrojnë banka të ndryshme dhe të zgjedhin alternativën më të favorshme. “Është konkluduar se kostoja e disa produkteve dhe shërbimeve bankare, duke përfshirë pagesat dhe transfertat, kartat e debitit dhe të kreditit, si edhe disa forma të tjera të kreditimit, mund të jenë më të ulëta”, theksoi Fullani. Nga ana tjetër, BSH po stimulon bankat tregtare, duke ulur kostot për përdorimin e sistemeve të pagesave, AIPS dhe AECH, gjatë transaksioneve në lekë për llogari të tyre apo të klientëve.
Kredia dhe cilësia e saj
Guvernatori Fullani ka bërë sërish apel për zgjerim të kreditimit, duke ruajtur dhe përmirësuar cilësinë e saj. “Zgjerimi i ritmeve të kreditimit do të mbështetet më mirë gjatë vitit 2011, në saje të dy zhvillimeve të rëndësishme, siç janë përmirësimi i ndjeshëm i situatës së likuiditetit dhe prirja rënëse e normave të interesit edhe për kredinë në lekë. Shenjat e para të një ecurie më pozitive u dhanë në dy muajt e fundit të vitit 2010, kur ritmi vjetor i kredidhënies u përshpejtua dukshëm. Nga ana tjetër, cilësia e kredisë mbetet problematike, por një përmirësim gradual pritet të shënohet gjatë këtij viti”, tha Fullani. Sipas tij, për kreditë që vlerësohen pa shpresë arkëtimi, bankat duhet të veprojnë për ekzekutimin e kolateralëve. “Banka e Shqipërisë i bën apel të gjithë faktorëve të lidhur që të përshpejtojnë reformat strukturore, të lidhura me titullin e pronësisë dhe ekzekutimin e kolateralit, si dhe të ndërmarrin një sërë rregullimesh të tjera të natyrës administrativo-burokratike, që ndikojnë në rritjen e kostove të sistemit bankar”, tha Fullani. Përmirësimi ligjor është i nevojshëm për të pakësuar rrezikun e bankave në veprimtarinë e kreditimit dhe për të siguruar ulje të kostos së tij për klientët, si dhe për të pastruar bilancet e bankave nga investime që rëndojnë ato dhe për të çliruar burime që do të përdoreshin për kredi të reja. Sipas Fullanit, në këtë aspekt është e nevojshme që autoritetet shtetërore dhe veçanërisht sistemi i drejtësisë të ofrojnë bashkëpunim.
Rritja ekonomike
Gjatë vitit 2010, ekonomia shqiptare pritet të ketë regjistruar një rritje të kënaqshme. Sipas Guvernatorit Fullani, në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, rritja ekonomike vjetore vlerësohet në masën 4.9 për qind. “Ecuria e normës së rritjes ekonomike në dy vitet e fundit ka qenë e qëndrueshme, duke provuar kështu një nivel të mirë rezistence ndaj ndikimit të krizës ekonomike ndërkombëtare. Treguesit e tjerë makroekonomikë janë luhatur rreth vlerave të pranueshme dhe të pritshme. Vlen të theksohet se ky stabilitet makroekonomik pasqyron miksimin e suksesshëm të politikave bazë ekonomike, asaj monetare me atë fiskale gjatë vitit të kaluar”, tha Fullani.