Topi-Muradi: Të thellohet kërkimi shkencor në mjekësi

Kreu i shtetit Bamir Topi është takuar sot me Nobelistin me origjinë shqiptare dhe njëkohësisht edhe “Nderin e Kombit” tonë, Dr. Ferid Muradin me rastin e vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.
Presidenti Topi vlerësoi përkushtimin dhe arritjet e Dr. Muradit në fushën e mjekësisë dhe kërkimit shkencor, të cilat kanë merituar njohjen e bashkësisë së shkencëtarëve dhe mjekëve në mbarë botën.
“Për të gjithë të rinjtë shqiptarë që ua kanë kushtuar studimet e tyre mjekësisë dhe kërkimeve shkencore, pa të cilat nuk mund të mendohet zhvillimi i një vendi e i një populli, një shembull i tillë vullneti dhe vendosmërie profesionale shërben si një model dhe motiv i fortë për punën e tyre në të ardhmen”, – u shpreh Presidenti, duke theksuar se jeta dhe vepra e nobelistit me origjinë shqiptare përbëjnë një nder dhe pikë referimi jo vetëm për të gjithë kombin tonë, por edhe për shkencëtarët shqiptarë dhe më gjerë.
Nga ana e tij, Dr. Muradi gjithashtu kënaqësinë e veçantë për takimin si dhe duke përshëndetur ndryshimet rrënjësore dhe arritjet e mëdha që ka shënuar Shqipëria gjatë dekadave të fundit.
Kryetari i Shtetit dhe Nobelisti me origjinë shqiptare, Dr. Ferid Muradi gjatë bashkëbisedimit theksuan domosdoshmërinë e arsimimit të brezit të ri të shkencëtarëve shqiptarë dhe thellimit të kërkimit shkencor, veçanërisht në fushën e mjekësisë, duke vënë në dukje rëndësinë që ka rritja e cilësisë së shërbimit shëndetësor, sigurimet shëndetësore, investimet në këto fusha si dhe përsosja e mëtejshme e kërkimit shkencor për mirëqenien e qytetarëve shqiptarëve dhe të ardhmen e tyre.