E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Negocioj krizën nëse ma kërkojnë partitë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shfaqet i gatshëm të ndërmjetësojë zgjidhjen e krizës politike nëse diçka e tillë do t‘i kërkohet nga partitë. I ftuar në "Ora News", ai konstatoi se ky vullnet politik nuk shprehet deri në këto momente, por forcat politike duhet të gjejnë predispozicionin për rifillimin apo vazhdimin e dialogut politik. Sipas Topit, mungesa e dialogut, mospjesëmarrja, çështjet e paralizuara në këtë lloj konfrontimi politik të japin idenë e një simptome të krizës. "Partitë politike duhet të dialogojnë, sikurse e kanë gjetur gjuhën në rastet e tjera, duhet ta gjejnë edhe tani", tha ai. Presidenti sqaroi se krizat e këtij karakteri nuk ndodhin vetëm në Shqipëri, por shtoi se ekzistojnë edhe recetat se si mund të dilet nga kriza. Lidhur me negociatat, Presidenti tha se nuk ka bërë tentativa të drejtpërdrejta për të ndërmjetësuar mes PD-së dhe PS-së.

Topi tha se ai ka bërë atë çka i takon Presidentit të bëjë për këtë situatë. "U takon partive të marrin një vendim për të filluar dialogun. Nuk fillon në një terren të thatë. Skena politike shqiptare, përveç krizave, nuk ka se si të mos ketë edhe rrugëdalje nga kriza. Unë nuk kam ndërhyrë për të ndërmjetësuar, por duhet që partitë ta shprehin vullnetin për të arritur te ndërmjetësimi", theksoi Topi. Shpreh shqetësimin, tha ai, për rifillimin e dialogut dhe pjesëmarrje. "Këto janë çështje të vullnetit politik të partive. Është domosdoshmëria për të filluar një dialog", u shpreh Topi. Lidhur me kritikat e mazhorancës për heshtjen e Presidentit pas zgjedhjeve, kreu i shtetit tha se e dha në kohën e duhur mesazhin për procesin elektoral. "Të gjithë aktorët politikë duhet të shikojnë te Presidenti jo një pozicion që janë mësuar ta shohin. Procesi finalizohet atëherë kur janë mbyllur të gjitha. Momenti më i përshtatshëm për të dhënë mesazh ishte fillimi i punimeve parlamentare", konstatoi ai. Presidenti tregoi edhe arsyet pse qëndroi në lozhë ditën e hapjes së punimeve të Parlamentit dhe nuk zbriti në sallë për të mbajtur fjalën e tij. Mungesa e opozitës në sallën e Kuvendit ishte arsyeja pse kreu i shtetit e dha mesazhin në video, duke u treguar i rezervuar. Presidenti foli edhe për takimin me ambasadorin amerikan në Tiranë, John Withers, përpara nisjes së tij në Francë në Forumin e Krans Montanës. Kreu i shtetit e cilësoi takimin si rutinë dhe tregoi se këto takime janë në funksion të punës së përditshme. "Diskutuam për politikën e ditës, për çështje akute për dhunën ndaj gazetarit Baze, jo duke u fokusuar tek individi, por për çështje që kanë të bëjnë me median dhe politikën", u përgjigj kreu i shtetit. Duke folur për raportin media-politikë, Presidenti Topi tha se "do të ishte gabim të thoshim se media rrezikohet nga politika dhe biznesi. Ajo duhet të dijë të pozicionohet në tregun mediatik. Jo të gjithë gazetarët nuk arrijnë dot të penetrojnë në institucione, duke i bërë një trajtim të përgjithshëm informacionit". Duke iu referuar sistemit të drejtësisë, Topi u shpreh se "problemet në sistemin e drejtësisë lidhen jo vetëm me nevojën e përmirësimit të ligjeve".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›