E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkatërrohet superbanda që vidhte makina

Shkatërrohet një bandë hajdutësh makinash gjatë një operacioni të organizuar në Kavajë. Shtatë persona, mes të cilëve edhe një femër, kanë përfunduar në prangat e policisë, ndërkohë që këtij grupi i është dokumentuar vjedhja e 21 makinave. Nga ana tjetër, gjatë një tjetër operacioni janë sekuestruar katër makina luksoze, të cilat rezultojnë të vjedhura në vende të tjera.
"Çmontimi 2"
Strukturat e hetimit të krimit të Komisariatit të Kavajës realizuan kapjen e tyre gjatë operacionit policor të koduar "Çmontimi 2". Sipas të dhënave policore, fillimisht u mor masa e arrestit të menjëhershëm në flagrancë për Fatmir Markun, 23 vjeç, Bledi Zefin, 26 vjeç, Elidon Sokolin (Marku), 33 vjeç dhe Irena Bodurin, 28 vjeçe. Arrestimi i tyre u krye sepse janë kapur në flagrancë, në segmentin rrugor Golem-Kavajë, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në periudha e vende të ndryshme, dyshohet se kanë shtrirë aktivitetin e tyre kriminal në disa qytete të vendit. Tre djemtë e arrestuar janë nga Shkodra dhe pikërisht në këtë qytet dyshohet se bënin çmontimin e mjeteve. Policia shpjegoi se në autostradën Golem-Kavajë, në Rrogozhinë, në bashkëpunim, u kapën duke tentuar të vjedhin mjetet "Benz", me targë KJ 0687 A dhe BMW, me targa të huaja BC 695 CG, në pronësi të shtetasve Beqir Bubeqi e Gentian Koni, banues në Rrogozhinë. Aty, katër të arrestuarit kanë tentuar të largohen me një mjet. Gjatë ndjekjes nga shërbimet e policisë, atyre iu gjetën dhe u bllokuan me cilësinë e provës materiale mjetet tip "BMW", me targa EL 1227 C, dhe "Mercedes Benz", me targa TR 6036 H, nëntë telefona celularë dhe 200 mijë lekë. Nga veprimet e kryera rezultoi se mjeti BMW, me targa EL 1227 C, në pronësi të Selam Bushit, ishte vjedhur gjatë natës në Elbasan, në bashkëpunim me tre persona të tjerë, të cilët u ndaluan më vonë me urdhër të prokurorit. Sipas të dhënave zyrtare, ata u kapën në banesat e tyre në Shllak, Toplan dhe Thermë të Shkodrës. Kështu, në pranga përfunduan edhe Nikoll Delijaj, 30 vjeç, Kujtim Fermasi, 35 vjeç dhe Alfred Krepi, 44 vjeç. Ndërkohë, është dokumentuar implikimi i tyre i shtrirë në tri vjedhje të automjeteve në Tiranë, në 4 vjedhje automjetesh në qytetin e Durrësit, në 4 vjedhje automjetesh në qytetin e Elbasanit, në 4 vjedhje automjetesh në qytetin e Fierit dhe në 2 vjedhje automjetesh në qytetin e Shkodrës. Ata dyshohen se i realizonin vjedhjet e automjeteve, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, gjatë orëve të vona të natës, aktivitet kriminal i shtrirë në qytetet e sipërcituara. Më pas i çmontonin dhe ndryshonin numrat e shasisë. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar gjashtë automjete të vjedhura, një sërë targash të Kosovës, ndërkohë që po punohet në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Kavajës për të dokumentuar tërësisht implikimin e tyre edhe në vjedhje të tjera të ndodhura në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Makinat luksoze
Veç operacionit për shkatërrimin e kësaj bande, policia e kryeqytetit ka ndërmarrë një tjetër operacion për gjetjen dhe sekuestrimin e mjeteve të vjedhura jashtë vendit që janë trafikuar në Shqipëri. Në lidhje me këtë fenomen, policia ka sekuestruar katër mjete luksoze, ndërkohë që ka shpallur në kërkim disa persona. Sipas policisë, filloi procedimi penal dhe punohet për kapjen e Astrit T., 38 vjeç, banues në Tiranë, sepse rreth orës 12.30, në Rrugën e Elbasanit, u kap dhe bllokua me cilësinë e provës materiale, mjeti "Volkswagen Touareg", me TR 1560 M, i cili rezulton i vjedhur në Itali. Veç këtij, policia ka sekuestruar edhe tre mjete të tjera. Sipas të dhënave hetimore, për trafikimin e tyre në vendin tonë dyshohet se janë bashkëpunëtorë dy shqiptarë dhe një austriak. Nga të dhënat hetimore u mësua se gjatë kontrollit të ushtruar rreth orës 11:30 në Kamzë, është sekuestruar një mjet "BMW X6", me targë TR 7776 S, i cili rezulton i vjedhur në Belgjikë dhe ishte në përdorim të 26-vjeçarit Alfred L. Ndërkaq, rreth orës 14:00 është ushtruar një tjetër kontroll, por këtë radhë në Kombinat, ku është bllokuar një mjet "Audi A6", me targë TR 2095 P, i cili rezultonte në përdorim të Alfred P. 40 vjeç. Mjeti rezulton i vjedhur në Francë. Ky person është shpallur në kërkim nga policia për sqarimin e rrethanave. Gjithashtu, në kërkim është shpallur edhe austriaku Peter Paunof, 61 vjeç, i cili dyshohet se ka trafikuar një mjet në Shqipëri. Sipas policisë, në Rrugën e Elbasanit është sekuestruar një mjet tip "BMW X5", i cili rezultonte në përdorim të tij dhe që rezulton i vjedhur në Gjermani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›