Topi: Nëse do të zgjidhesha nga populli, do të fitoja
Topi për Berishën: “Nuk kam faj unë, nëse unë kthehem në obsesion ndaj të tjerëve. Unë jam njeri i drejtpërdrejtë. Atë që e them, e them vetë dhe nuk ka nevojë që ta thonë të tjerët”.
DURRËS Një ditë pas deklaratës së kryeministrit Sali Berisha se Presidenca është kthyer në një “partiçkë”, Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ka kthyer përgjigje me të njëjtën monedhë duke shfrytëzuar një aktivitet të zhvilluar në Durrës, ku dekoroi “Shoqatën Durrësi” dhe disa personalitete të këtij qyteti. Duke iu përgjigjur interesimit të medias lidhur me deklaratën e dy ditëve më parë të kryeministrit Berisha, Topi u përgjigj se ai do të zbatojë Kushtetutën dhe ligjin deri në fund të mandatit të tij si president. “Ma thanë këtë, por e thënë kjo në një ditë të shenjtë, sikurse ishte dita e Krishtlindjes, natyrisht të vjen keq, sepse deklaratat e politikanëve të paktën duhet të jenë në kohezion me atë që thonë në mëngjes që, duhet të stimulojmë dialogun, komunikimin, bashkëpunimin. Unë mund t’ju them atë që e kam thënë vazhdimisht. Ta rikonfirmoj qartazi dhe prerë. Institucioni i Presidentit ka qenë, është dhe do të mbetet një institucion kushtetues më përfaqësues, i cili në mënyrë shumë rigoroze ka zbatuar, zbaton dhe do të zbatojë deri në momentin e fundit që unë do të jem në Presidencë, Kushtetutën e vendit, dhe kurrsesi nuk mund të shkojë sipas dëshirave të partive që të jetë apendix i orekseve politike të partive politike, pavarësisht se cili është ‘background’-i politik i Presidentit. Pra, unë dëshiroj që të siguroj qytetarët shqiptarë që, pavarësisht insinuatave që hidhen, Presidenti do të mbetet president deri në sekondën e fundit të mandatit të tij”, - tha dje Topi. Për pasojë, kreu i shtetit ka mohuar edhe ekzistencën e një partie të re sa kohë që do të jetë në Presidencë, edhe pse vetë ai vetëm pak ditë më parë e la qartazi të kuptohet se do të krijojë një forcë të re politike. I pyetur konkretisht nëse në partinë e tij të re do të ketë ndonjë emër deputeti, Topi u përgjigj: “Kush e konfirmoi këtë? Keni dëgjuar nga unë? Ju mos merrni dhe të perifrazoni vullnetet e të tjerëve. Dëgjoni Presidentin kur thotë se deri në minutën e fundit do të jem President. Ata që kanë frikë për të ardhmen politike pastaj, atëherë është çështje e tyre. Nuk kam faj unë nëse unë kthehem në obsesion ndaj të tjerëve. Unë jam njeri i drejtpërdrejtë. Atë që e them, e them vetë dhe nuk ka nevojë që ta thonë të tjerët”. Presidenti i Republikës nuk pranoi as akuzën tjetër të kryeministrit se sistemi i drejtësisë po mbahet peng. “Unë mund të them që, ajo që akuzohet sot, jo vetëm nga qytetarët shqiptarë, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë, është mungesa për një kohë të gjatë e bashkëpunimit politik, sidomos në parlament, për realizimin e reformave të domosdoshme që janë edhe në funksion të gjyqësorit. Gjithçka tjetër ka qenë konform Kushtetutës dhe ligjeve”,- tha ai. Presidenti i Republikës sfidoi dje partitë politike teksa paralajmëroi se në rast se do të zgjidhej nga populli, ai do të fitonte. “E kam thënë se nuk do të rikandidoj për një mandat tjetër, vetëm në rast se zotërinjtë që kanë në dorë ndryshimet kushtetuese për të bërë zgjedhjen e Presidentit ashtu sikurse e meriton, nga populli. Nëse do të ketë një ndryshim të kësaj natyre, që zor se do të ketë, sepse janë vetë politikanët që i druhen verdiktit popullor, unë do të jem në garë dhe e ftoj cilindo që të jetë në garë për të marrë verdiktin drejtpërdrejt nga njerëzit e thjeshtë, nga populli”, - tha ai.
N.P