Totozani: Avokat i Popullit do të jetë institucion apolitik
Gjatë prezantimit të tij me stafin e zyrës së Avokatit të Popullit, Totozani ka bërë një pasqyrim të filozofisë që ai do të ndjekë në detyrën e Avokatit të Popullit.
TIRANË Avokati i ri i Popullit, Igli Totozani ka nisur dje zyrtarisht punën në krye të këtij institucioni. Gjatë prezantimit të tij me stafin e zyrës së Avokatit të Popullit, Totozani ka bërë një pasqyrim të filozofisë që ai do të ndjekë në detyrën e Avokatit të Popullit. Lidhur me këtë filozofi të tij, Totozani u shpreh se pika kyçe për drejtimin e institucionit të Avokatit të Popullit është të qenit institucion aktiv në çdo pikëpamje. Duke vijuar më tej, Avokati i ri i Popullit, Igli Totozani theksoi se institucioni që ai drejton tani e tutje, nuk do të presë ankesat e qytetarëve, por do të ndjekë e të gjejë problemet e qytetarëve në të gjitha ato raste kur shkelen të drejtat e tyre. Ndërkohë, në prezantimin e tij, Totozani bëri me dije para gjithë stafit të zyrës së Avokatit të Popullit, se institucioni në fjalë ka për qëllim primar qytetarin me të drejta të mbrojtura. Gjithashtu ai theksoi se funksioni i Avokatit të Popullit është i inkuadruar jashtë klaneve dhe lojërave politike, gjë që nënkupton pavarësinë e këtij institucioni nga ndikimet e ndryshme. “Do të ruajmë pavarësinë nga të gjitha ndërhyrjet politike, duke pasur një objektiv madhor mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Avokati i Popullit do të jetë një institucion aktiv dhe një mekanizëm që është gjithmonë në lëvizje në kërkim të hallit të qytetarit”, - u shpreh Avokati i ri i Popullit, Igli Totozani. Në prezantimin e Avokatit të ri të Popullit ishte edhe nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle. Duke e uruar Totozanin për detyrën e re, Dokle u shpreh se gara për zgjedhjen e Avokatit të Popullit u zhvillua në mënyrë transparente dhe me një konkurrencë të shkëlqyer. Kandidatura e Igli Totozanit u zgjodh nga Komisioni Përzgjedhës i ngritur nga Partia Socialiste, mes 33 personaliteteve që aplikuan online. Komisioni Përzgjedhës dëgjoi 12 kandidatët e përzgjedhur prej tij, ndërkohë që vetëm 4 prej tyre rezultuan si më të denjët për këtë pozicion. Në këtë mënyrë, kandidatura e Igli Totozanit u zgjodh si më e përshtatshmja, duke marrë për bazë mospërfshirjen e tij në jetën politike të Partisë Socialiste. Pas kësaj përzgjedhjeje, emri i Igli Totozanit i kaloi komisionit të Ligjeve, i cili e miratoi me unanimitet kandidaturën e tij për Avokatin e ri të Popullit, duke e kaluar atë për seancë plenare. Më pas Kuvendi e miratoi me 127 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenime.
E.Mrruku