Topi: Palët të lënë sharjet, të punojnë për reformat

Presidenti Topi i ka bërë sërish thirrje palëve të lënë mënjanë sharjet dhe fyerjet në parlament por të punojnë për realizimin e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian.
Nga qyteti i Fierit ku mori pjesë në festimet për 40-vjetorin e teatrit “Bylis” kreu i shtetit theksoi se seanca e djeshme plenare provoi konkludimet e Komisionit Europian. Sipas tij akuzat mes pozitës dhe opozitës po penalizojnë shoqërinë shqiptare duke bërë që vendi të mos ecë përpara me reformat.
“Apeli im u bë publik dje. Shoqëria shqiptare po penalizohet nga politika. Parlamenti të mos angazhohet në sharje dhe fyerje pasi ato nuk janë të denja për të. Parlamenti duhet të punojë për realizimin e 12 rekomandimeve” ka theksuar Topi.
I pyetur për mos dekretimit të ligjit për menaxhimin e mbetjeve, kreu i shtetit theksoi se ligji ka kontradita mes neneve në disa moment.
“Nuk them se ligji është i keq, por ka kontradita mes neneve në disa momente dhe këto duhen rishikuar” ka shtuar Topi.
Kreu i shtetit Bamir Topi mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 40-vjetorit të teatrit “Bylis” në Fier ku është takuar me kreun e bashkisë Baftaj Zeqaj.