E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Partia e re, të pakënaqurit nga PD-ja po vijnë tek unë me dëshirë

“Unë di që ka një frymë. Nuk mund të bëj rolin e njeriut që nuk ka veshë të dëgjojë e sy të shikojë. Kjo është një frymë që vjen tek unë përmes një dëshire”

Intervistoi Ilva Tare

Zoti Topi, përse nuk hytë në qeveri më 2005, por preferuat postin e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së ?

Me sa duket në distancë kohore, qëllimi në politikë nuk është marrja e një karrigeje. Kam pasur oferta. Por kam preferuar të drejtoj grupin parlamentar të PD-së, atëherë në opozitë, dhe kur vjen në pushtet shoqërohet me një post.

Ku ishte pika e thyerjes me PD-në, me Topallin dhe Berishën?

Kam pasur një komunikim institucional vazhdimisht dhe asnjëherë nuk kam mundur të gjej se ku është pika e thyerjes. Por, mesa duket, momenti i ndryshimeve kushtetuese më 2008, ishte momenti kur filloi një ftohje, kur mazhoranca dhe opozita iu futën një ndryshimi në Kushtetutë pa u konsultuar me Presidentit. Ishte e drejta e tyre, por besoj se nuk ishte reagimi personal, por si interpret i Kushtetutës, pa u bërë publik, pa pasur mundësinë për të ushtruar një debat që erdhi dhe u realizua brenda një nate. Kjo solli sfumim të kompetencave të Presidentit dhe kundërfirmosjes së dekreteve të Presidentit. Kjo sigurisht sjell një lloj reagimi, ftohje.

Ju vjen keq që PD-ja ku kontribuat ju ka sulmuar?

Sigurisht që ka keqardhje, por secili shfaqet para publikut dhe në debate të tilla kaq të rëndësishme që nuk do t’i konsideroja personale, aktorët politikë duhet të kenë mësuar se vendi ka nevojë që të rregulloje etikën e komunikimit. Kjo nuk do të thotë që ku vend nuk mund të bëhet me qytetari.

Njerëz në Tiranë pretendojnë se kanë negociuar mes jush dhe Berishës para 21 janarit që të vendoseshit në listë për deputet ose të merrnit një post si ministër, por kjo u ndërpre pas 21 janarit.

Nuk është e vërtetë. Nuk kam marrë post ministri kur e kisha mundësinë ta merrja, mendoni tani... Cilido që hedh insinuata të tilla është totalisht i pabesueshëm. Unë i kamm gjërat e hapura, nuk ka pasur negociata. Nuk kam frekuentuar kafenetë ku thuren biseda të tilla. Është fatkeqësia e tyre që i besojnë.

Në nëntor kur ishit bashkë me Berishën te festa e pavarësisë, u bënë negociata për një mandat tjetër?

Nuk është e vërtetë.

Nuk keni negociuar me Berishën?

Për asgjë!

Pas sulmeve direkt ndaj jush si pjesëtar celulash, horr bulevardi etj., a mund të pajtoheni më me Berishën? Le të themi që ai është pajtuar me Nanon, për të cilin çfarë nuk ka thënë...

Nuk jam njeri që kam një mbiemër tjetër apo se kam më shumë se një mbiemër. Unë po përdor artin e perifrazimit të gjërave. E përdora si mënyrë të shprehuri për të treguar se kam individualitetin tim. Unë kam memorien e fortë dhe nuk harrohet kollaj. Edhe në një bisedë tek e tek, jashtë publikut, jashtë kamerave, njeriu duhet të bëjë kujdes. Gjuha kocka s’ka e kocka thyen. Ka 77 lloje muskujsh që përbëjnë gjuhën. Struktura përcakton funksionin. Gjuha komandohet nga truri dhe në rast se arsyeja nuk është arsyeja dhe del me përcaktime shumë agresive, sigurisht që nuk harrohen. Këtu nuk bëhet fjalë për refleksion. Është refleksion institucional dhe të tjerët të gjykojnë mbi bazën e kësaj që po them.

Nuk shihni pajtim?

Është çështje refleksioni personal dhe institucional. Nuk mund të hyjmë në detajet e një komunikimi që më takon vetëm mua.

Flitet për pagesa për poste gjyqësore...

Janë akuza politike të pabaza. Presidenti vetëm propozon Të drejtën e vendimit final e ka Parlamenti. Procesi është shumë transparent. Presidenti nuk emëron, por vetëm propozon.

E në rastin e Shkallës së Parë...

Është mirë që e bëre. Presidenti siç është kryetar i KLD ka vetëm një votë. Çdo votë e KLD-së vjen ose nga Parlamenti ose nga Konferenca Gjyqësore. Fiton ai që merr më shumë vota.

Po ju keni marrë lekë?

Ajo që s’i ka munguar Presidentit është morali dhe serioziteti

Ka akuza të rënda për amnistinë...

Unë gjykoj se ka gati një vit që Ministria e Drejtësisë nuk sjell në Presidencë absolutisht asnjë propozim që ka të bëjë me detyrimin ligjor për të propozuar lirimin e të burgosurve. Gjithçka bëhet mbi bazën e një procesi shumë serioz. Mbi bazën e një filtri shumë serioz. Presidenti bën vetëm aktin e fundit, atë të shprehjes së vullnetit.

A do bëni amnisti këtë vit...

Kërkojani atyre që e kanë detyrim. Sipas ligjit, ju them fare hapur se Presidenti nuk ka çfarë të bëjë se s’ka asnjë material në tavolinë. Ata që duhet ta sjellin janë përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, që kanë kaluar çdo lloj afati për të respektuar dhe për ta sjellë në tavolinë.

Pas një muaji, kemi njëvjetorin e 21 janarit. A ishte grusht shteti?

Është një absurditet dhe fatmirësisht Shqipëria nuk është një vend i kufizuar, ku mund të konsumohet një thënie që për mua është e papranueshme. Shqipëria është vend me partnerë dhe qëndrimi realit ndaj kësaj ngjarjeje e kanë dhënë partnerët tanë, që nuk e cilësuan si të tillë. Vetëm një muaj më parë pata takimin me përfaqësues të PE, dëshiroj të citoj modestisht, se falënderuan Presidentin, nuk ishte një zë, por ishin disa, duke filluar nga Kukan, për qëndrimin e Presidentit, për qëndrimin korrekt të mbajtur.

Do ktheheni në politikë?

Njeriu nuk ka lindur për karrige dhe pozicione, nuk duhet të humbasë lidhjet me njerëzit.

Thuhet që do krijohet një partie e re e djathtë dhe kur ju të mbaroni mandatin presidencial do shkoni në një parti që do mbledhë votat e të pakënaqurve të djathtë PD dhe LSI. A do jeni ju pas saj?

Vetëm në një moment mund të veproja ndryshe: Nëse votimi i Presidentit do ishte në vullnetin e popullit. Nëse do të kishte një mundësi të tillë, atëherë do ta merrja shumë në konsideratë të hyja në një garë të tillë. Për sa kohë është një çështje e partive, le ta bëjnë sipas asaj formule që do e zgjedhë Presidentin në një mazhorancë të thjeshtë. Unë këtë nuk e kam parë si një zgjidhje adekuate. E kam thënë edhe para zgjedhjeve të presidentit më 2007, opsioni që unë i referohem është opsioni i zgjedhjes së presidentit nga populli. Vetë institucioni i Presidentit është mbi palët dhe populli ka nevojë të ketë një institucion përfaqësues që del nga vullneti i tij.

Po për partinë e re?

Nuk dëshiroj që gjatë periudhës që unë jam President të denatyroj rolin e Presidentit. Sa kohë që jam President, do jem në ushtrim të detyrës dhe kompetencave të Presidentit. Unë për këtë jam betuar dhe deri ditën e fundit do të jem President i shqiptarëve.

Po kur të mbaroni mandatin?

Këtu është një çështje tjetër. E kam thënë që opsioni më i mundshëm është që unë do t’i kthehem jetës politike.

Jeni në dijeni të një organizimi nga disa të pakënaqur të PD?

Unë di që ka një frymë. Nuk mund të bëj rolin e njeriut që nuk ka veshë të dëgjojë e sy të shikojë. Kjo është një frymë që vjen tek unë përmes një dëshire. Unë deri në korrik 2012, nëse Zoti na jep jetë e shëndet, s’do jem më në zbatim të detyrimeve kushtetuese. Pas asaj dite, kam opsionet e një njeriu të lirë në një vend të lirë.

Mund të jetë Fryma e Re Demokratike emri i një partie të re?

Është për t’u mbajtur shënim.

A do jeni njeriu që arriti të rrëzojë Berishën në zgjedhjet e ardhshme?

Nuk është plotësisht e saktë. Unë vlerësoj absolutisht të gjithë bashkëpunimin që kemi pasur në PD. Nuk jam nga ata që e deformoj historinë. Ishim pjesë e të njëjtës filozofi politike, ishim pjesë e përpjekjeve për të kthyer PD në pushtet. Historia nuk fillon më 2007. Kam qenë njeriu më i votuar më 2005. Një ndërtesë ndërtohet gradualisht. Kam hedhur themele të forta. Nëse sot ka një mazhorancë, ajo nuk mund të ketë memorien e shkurtër. Ka njerëz të listave që po bëhen protagonistë, ata janë njerëz të listave, por nuk kanë memorie.

Kush janë këta, Basha, Topalli?

Unë nuk përmend emra. Mënyra e sjelljes është pjesë e filozofisë së subjektit politik. Në çdo parti ka gjithmonë një memorie historike. Nuk mund të vijnë disa rishtas e të thonë që nuk e njoh dikë. Gjithsecili duhet të kthejë kokën pas e të thotë si e ka bërë karrierën e tij. Nuk mund të besoj se një parti vjen në pushtet me kontribut kryetarësh. Janë ekipe dhe çdo njeri duhet të vlerësohet.

Marrë nga Tonight/ Oranews

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›