E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama s’i mbyll derën Nanos: Presidenti, konsensual

Kryetari i PS-së, Edi Rama, komenton përjashtimin e Kastriot Islamit nga PS-ja dhe profilet në librin “Kurban” të ish-kryeministrave Nano e Meta. Nuk hedh poshtë ambicien e Nanos për President, por pohon se Partia Socialiste do të kërkojë zgjedhjen e një figure konsensuale. Nano President? “Këtu nuk është fjala për emra, por për një proces vendimtar për rrugëtimin drejt BE-së”

Lideri i opozitës, Edi Rama, kërkon që Presidenti i ri të jetë konsensual. I ftuar në emisionin “Debat”, të gazetarit Alfred Peza, Rama nuk ia ka mbyllur derën ambicies së Fatos Nanos për president, por tha se Partia Socialiste do të investohet për një proces që do të sjellë zgjedhjen e një presidenti konsensual.

Zoti Rama, përse u përjashtua Kastriot Islami nga grupi dhe jo dikush tjetër, Ben Blushi le të themi? Ka patur raste të përsëritura të thyerjes së vendimit të grupit tuaj parlamentar dhe nga të tjerë deputetë në këto vite, apo jo?

Nuk ka asnjë ngjashmëri për rastin në fjalë dhe për këtë pse duhet të pyesni Kastriot Islamin, sepse nuk ishte grupi parlamentar i PS-së që shkeli vendimin e vet politik për llogari të Kastriot Islamit, por ishte Kastriot Islami që shkeli vendimin e Grupit për llogaritë e veta.

Por edhe Ben Blushi dhe Arben Malaj kanë shkelur vendimin e grupit në rastin e votimit të guvernatorit Fullani, apo jo?

Është e vërtetë që në këto dy vite që pararendën Kongresin e 5 nëntorit PS-ja ka jetuar me një anomali të brendshme dhe dëshira, vullneti, por dhe bindja ime sikundër dhe e tjerëve përreth në lidership ka qenë krijimi me durim, dalëngadalë i kushteve për rikompozimin dhe për ngjitjen e asaj frakture që u krijua pas zgjedhjeve të vitit 2009. Pikërisht pasi kjo frymë u shfaq dhe pas atij votimi që ju përmendët për guvernatorin. Grupi parlamentar ka bërë një mbledhje shumë serioze dhe me bindjen që është momenti për të filluar nga një “orë zero” dhe për të lënë pas këtë vijimësi jo normale, e cila ka qenë e lidhur me arsye që nuk kanë qenë të njëjta mes nesh. Është rënë dakord që këtu e mbrapa do të bindim njëri-tjetrin dhe do të bindemi bashkërisht për respektimin e vendimit të shumicës, pas dëgjimit me respekt të mendimit të pakicës. Këtu flas për shumica dhe pakica që krijohen brenda nesh si parti e lirë. Kur është ndërmarrë vendimi politik për të votuar kandidaturën e kreut të KLSH-së, është thënë qartësisht se prania dhe vota kundër janë detyrim i çdo deputeti dhe deputeteje. I vetmi që e theu këtë vendim politik pa asnjë arsye të justifikuar është Islami, i cili vendosi të largohet nga grupi i PS-së.

Zoti Islami thotë se nuk është shkak, por një sebep ai votim…

Nëse është një sebep, është një sebep që ai e krijoi vetë, me vullnetin e tij të lirë. Unë nuk i hyj fare nëse ai donte të krijonte ndonjë sebep, apo nëse veprimi mund të përdorej si sebep. Mund t’ju them se Gjovalin Kadeli ishte pranë shtratit të bashkëshortes në spital në Itali, krejt i justifikuar, dhe u kthye për të respektuar vendimin politik dhe grupin parlamentar, jo thjesht formalisht. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me deputetin Fidel Ylli, i cili ishte në një kurë shtrati që e detyronte deri në datën 7 janar të qëndronte në spital. Deputetja e Durrësit anuloi biletën e udhëtimit me familjarët jashtë vendit dhe ka qëndruar. Kush është Kastriot Islami të sfidojë grupin parlamentar dhe të çohet nga salla para votimit? Nuk është asgjë më shumë se gjithë anëtarët e tjerë të grupit socialist.

Keni thënë për Nanon se është më politikani ndër horrat dhe më horri ndër politikanët...

Më vjen keq, problemi me nxjerrjen nga konteksti të fjalëve apo frazave të thëna në një libër është një çështje më vete. Por atë shprehje nuk e kam thënë unë, por atë shprehje e përdor edhe Fatosi me humor. Dhe unë e kam thënë se e thoshte me humor, pavarësisht se shpesh herë i shkonte.

Për Ilir Metën keni bërë një përshkrim aty që ...

Ai është Ilir Meta dhe përshkrimi i thjeshtë tregon sesi e shoh unë Ilir Metën. Të gjithë më kanë përgëzuar, kanë parë po të njëjtin portet si e njohin Ilirin.

Qeverisja e Nanos si ju duket?

Unë nuk e kam dëshiruar rikthimin e Saliut në pushtet, sepse si shumë të tjerë kam qenë i bindur se do ishte një kthim prapa dhe nuk do shëronte plagët që hapi qeverisja e Fatosit, por do ta bënte Fatosin dhe qeverinë e tij të dukej një lule në krahasim me vetveten. Dhe sot e vërteta është që duket një lule në krahasim me çka bën përditë qeveria e Saliut.

Keni munguar te promovimi i librit Enver Hoxha...

Nuk e dija që mbaheshin mungesa në atë promovim, por kisha diçka tjetër për të bërë dhe nuk kisha arsye të shqetësohesha për mungesën time, aq më tepër që isha i bindur se Fevziu do ta kishte të garantuar një panair të madh personazhesh, kështu që është e kotë të flitet për mungesën time.

Zoti Rama, ka një shprehje dëshire për të kandiduar më 2012 për president nga Fatos Nano... a përputhet kjo pjesë e axhendës së Nanos me axhendën e PS?

Kjo është një çështje shumë serioze dhe për këtë s’mund të flitet veçse shumë seriozisht. Këtu nuk është fjala për një emër apo për një emër tjetër, këtu është fjala për një proces, i cili duhet të jenë, në këndvështrimin tim, vendimtar për rrugëtimin e vendit drejt BE-së, dhe për cilësinë që institucioni do të ketë në raport me të gjitha detyrimet e veta kushtetuese. Në këto kushte, është e nevojshme që në radhë të parë ne të ndërtojmë një proces. Kushtetuta edhe pse e ndryshuar parasheh një zgjedhje konsensuale, të paktën në tre raunde. Unë besoj që fryma e Kushtetutës është kjo, dhe nuk është vendi për të kërcitur dhëmbët dhe për të thënë siç kam dëgjuar Saliun, që posti i Presidentit do të jetë politik dhe do të jetë një nga figurat kryesore të PD-së, pasi është shumë më tepër se axhenda personale e Saliut dhe e PD-së, apo axhenda e PS-së, apo çdo axhende tjetër personale. Kështu që unë besoj se na takon që, në radhë të parë, të shikojmë interesin kombëtar, i cili sot është njësuar me interesin për ta parë vendin një orë e më parë në BE. Prandaj duhet të thellojmë reformat, jo duke rendur pas një zgjidhjeje që nuk është zgjidhje, por duke u përpjekur të ndërtojmë një dialog politik për këtë çështje.

Pra, ju po thoni që nuk jeni dakord me një kandidat të PD-së?

Po, kjo është afërmendsh, por është një çështje që kërkon një qasje sa më pranë synimit për të përputhur interesin kombëtar, rrugën europiane të Shqipërisë me zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Nga ana jonë, ne nuk do të hyjmë në asnjë lloj debati të përveçëm, por do të propozojmë një proces. Jemi të gatshëm të japim kontributin në të, pa imponuar emra, por duke synuar që të gjejmë dakordësinë që të gjejmë një kandidaturë që të mos e katandisë institucionin e presidentit në një degë të PD-së, apo në një zgjatim të pushtetit politik të partisë shtet.

Pra, po thoni se jeni për të gjetur një kandidat konsensual?

Arsyeja dhe besoj rruga e saj na kërkon në një proces që t’i japim Shqipërisë së bashku një President mbi palët, që të jetë garant i Kushtetutës, të kryejë funksionet kushtetuese, në pavarësi të plotë me politikën.

Nëse PD-ja e pranon si një kandidaturë konsensuale, ju do ta votoni Nanon president?

Kjo është një histori që është hapur mbrapsht dhe krejt para kohe. Sigurisht përbën një ushqim goxha të shijshëm mediatik, por ne dhe unë sot, as nesër nuk do mund të marrim dot në gatimin e atij ushqimi. Ne thashë na duhet një proces.

Topi tha se s’do jem më President. Ka pasur një debat politik gjatë verës për votën që Presidenti ka hedhur gjatë zgjedhjeve të 8 majit. Si e keni parë këtë gjë?

Mua më është dukur aq e turpshme ajo histori dhe i vetmi koment është se është një tjetër shembull ku është kandisur një televizion kombëtar. Ndërkohë që përsa i përket presidentit Topi, dje kur dëgjova deklaratën e tij ndjeva detyrimin për të shprehur respekt për të gjitha ato që ai ka bërë gjatë këtyre viteve për vendin dhe për institucionin që ai drejton. Ne nuk e kemi pritur që Bamir Topi të ishte presidenti që patëm deri këtu. E vërteta është se Bamir Topi, pavarësisht kritikave të ndryshme nuk është as presidenti i njërës palë dhe as president i palës tjetër. Me prononcimin e tij, ai la të lirë procesin që ne duhet të ndërtojmë dhe që në vijim duhet të apelojmë edhe palën tjetër.

A është konsideruar aleat Bamir Topi me partinë e tij të re për të mundur Berishën?

Mendoj se kjo është pjesë e një kulture të përbashkët, por me të cilën duhet të ndahemi. Unë dua të flas për politika dhe për zgjidhjet që i duhen vendit, dua të flas për rrugën për ta nxjerrë vendin nga kriza. Besoj se në këtë rrugë ecin të gjitha forcat politike të botës ku duam të integrohemi. Ne në opozitë në 2009 na la vjedhja dhe krimi elektoral. Bamir Topi është i djathtë, Bamir Topi rikthehet në skenën politike si i djathtë dhe padyshim shtysa e rikthimit nuk është që të gjejë një vend për t’u sistemuar vetë, pasi ishte në vendin më të lartë të shtetit, por shtysa është për të reaguar ndaj një të djathte që nuk është me djathtë. Dhe ne kemi rrugëtimin tonë, që s’ka të bëjë me të djathtën.

Meqë jeni në të majtë do të keni aleancë me LSI-në?

Ilir Meta është në pushtet.

Por është i majtë?

Nuk kam asgjë me personin, por LSI-ja është sot aq e majtë, sa cc’është e virgjër njëra që bërtet nga dritarja e bordellos, ndërkohë që këtë gjë e bën nga brenda dritares. LSI është në pushtet dhe është njëra këmbë e pushtetit. Dhe ne si opozitë nuk kemi asnjë mundësi për të bërë llogaritë me njërën këmbë të pushtetit për të larguar pushtetin.

Pas 21 Janarit ka patur një akuzë të drejtpërdrejtë nga ambasadori amerikan për atë që ai e cilësoi si celulë antiamerikane në PS?

Besoj se edhe vetë ambasadori Arvizu pas 21 Janarit nuk do ta përsërisë atë akuzë.

Në zgjedhjet e 2013 do të jeni në listën e PS-së për deputet?

Lista e deputetëve do bëhet kur ti vijë moti dhe kur të bëhet lista, do shohim kush do jetë kandidatë.

Pse edhe kryetari i PS-së nuk do jetë?

Respekti për të gjithë të tjerët më imponon të mos flasë për vendin tim në listë.

Është thënë që një nga gabimet....

Unë do jem në listën e deputetëve të PS kandidat për kryeministër i opozitës dhe padyshim bashkë me të tjerët, fitues të zgjedhjeve të ardhshme politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›