Anketimi i biznesit, 98% përdorin korrupsionin për aktivitetin
Nga 500 kompani të anketuara, 498 prej tyre kanë deklaruar se janë viktima të ndërgjegjshme të korrupsionit. Pavarësisht se burokracitë janë eliminuar për regjistrimin e bizneseve, sipas tyre, peripecitë nisin në fazat e mëvonshme. Studimi i “Bussines Albania” tregon për vështirësitë që hasin bizneset në vend
Biznesi në vend ka harruar radhët e gjata të burokracisë për regjistrim, por telashet fillojnë më vonë. Nëqoftëse ke vendosur të investosh për të bërë biznes në Shqipëri, duhet të marrësh parasysh vështirësitë që të ofron terreni në vend, që përkthehet me përballjen me korrupsionin, krimin e organizuar, presionin e administratës dhe kreditimin. Janë këto vështirësitë më të mëdha me të cilat përballen bizneset shqiptare. Këto janë rezultatet e një studimi të kryer nga “Bussines Albania” në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Punës. Studimi ka përfshirë 500 ndërmarrje shqiptare, nga të cilat 498 prej tyre kanë deklaruar se janë viktima të ndërgjegjshme të korrupsionit. Sipas studimit në fjalë, biznesi shqiptar ndrydhet nga korrupsioni dhe kërcënohet nga krimi i organizuar. Sipas kreut të ‘Business Albania’, Luan Bregasi, ky studim u krye për t'i bërë të qartë qeverisë shqetësimet me të cilat përballet çdo ditë biznesi në terren, të cilat shpesh politika nuk i sheh. "Regjistrimi online i biznesit, pagimi online i detyrimeve fiskale, regjistrimi dhe licencimi elektronik janë disa nga hapat e vlerësuar edhe nga sipërmarrja private, por nga ana tjetër nga anketimet rezulton se një pjesë e administratës, që kanë lidhje me biznesin, sillen jo mirë, sajojnë probleme dhe inkurajojnë qëndrime që mërzisin biznesin dhe sipërmarrjen private", tha Bregasi. Gjatë prezantimit të studimit, ditën e djeshme, Enver Ferizaj, kreu i Këshillit të Agrobiznesit shqiptar, tha se "korrupsioni është në një masë të konsiderueshme, duke nisur që nga pushteti lokal e deri te pushteti qendror. Vërtet që për të marrë një regjistrim biznesi kemi lehtësira, të cilat shkojnë një orë, dy orë, por i kthejmë pastaj poshtë, atëherë ata nisin pengesat", u shpreh Enver Ferizaj gjatë fjalës së tij. Sipas tij, në sektorin e bujqësisë ka edhe të tjerë faktorë shtesë që pengojnë biznesin. "Referencat janë gangrenë e bujqësisë. Nuk është e drejtë që referenca të jetë në një kohë kur tregu është bosh, masat frigoriferike nuk i kemi në zë. Atëherë të shohim ligjet dhe referencat e kohës së prodhimit", u shpreh Ferizaj.
Studimi në fjalë citon se “veç korrupsionit dhe krimit të organizuar që rezultojnë me 97,8% si vështirësitë më të mëdha me të cilat përballet biznesi shqiptar, ka edhe faktorë të tjerë që pengojnë biznesin, si efektiviteti i gjyqësorit me 88%, presioni administratës me 76% dhe vështirësitë në kreditim me 62.4 për qind.” Kurse kontrollet që ushtrohen në mënyrë subjektive për qëllime presioni, sipas studimit, tregojnë mungesën e konkurrencës në treg. 40% e biznesmenëve pohojnë se paguajnë nën dorë, për të marrë një shërbim të caktuar, si e vetmja rrugë për të mos u penalizuar. Bizneset gjykojnë se nuk qëndron problemi te niveli i taksave, por ata kërkojnë reduktimin e barrierave që ndikojnë në rritjen e kostove. Duke e hedhur vështrimin kah vitit 2012, bizneset e anketuara nuk presin të ketë ulje të numrit të të punësuarve dhe as rritje të tyre. Bizneset e anketuar nga ana tjetër gjykojnë të vështira barrierat e vendosura për mbylljen e një biznesi.
Vështirësitë me të cilat përballet biznesi
Korrupsioni dhe krimi i organizuar me 97.8%
Gjyqësori 88%
Presioni i administratës 76%
Vështirësitë në kreditim 62,4%