Vodhi lokalin, arrestohet 28-vjeçari
SHKODËR- Policia ka ndaluar njërin prej autorëve të dyshuar të një vjedhjeje me armë, të kryer në bashkëpunim, rreth 2 muaj më pare. David Lazri, 28 vjeç, banues në lagjen “Tre heronjtë” të qytetit Shkodër, është ndaluar pasi ka qenë i shpallur në kërkim në bazë të urdhër ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Shkodrës më 15.3.2011. Ky shtetas, dyshohet se së bashku me dy persona të tjerë, edhe ata të shpallur në kërkim janë autorë të ngjarjes së ndodhur rreth orës 03 të 22 shkurtit të këtij viti në lagjen “Skënderbeg” në qytetin e Shkodrës. Ata i kanë vjedhur me dhunë pronarëve të një lokali në këtë lagje një shumë prej 60 000 lekësh të reja, duke i goditur me mjete të forta të dy: Sh.K. 24 vjeç dhe F.K. 27 vjeç, të dy këta banues në Koplik të Sipërm, rrethi Malësi e Madhe, të cilët administronin lokalin. Pas kanë vjedhur me dhunë lekët, i ndaluari David Lazri dhe dy personat e tjerë u kanë dëmtuar dhe mjetin tip Ford me targë TR 0573 K, i cili ndodhej i parkuar përpara lokalit të lartpërmendur, me të cilin lëviznin dy vëllezërit e dëmtuar, që më pas janë dërguar në spital. Pas identifikimit të tyre, tre të dyshuarit ishin shpallur në kërkim dhe kapja e 28-vjeçarit është bërë pas hetimeve nga strukturat e seksionit kundër vjedhjeve me dhunë në drejtorinë e policisë Shkodër. D.K.