Topi: Partitë të mbyllin procesin e administrimit të votave
Thirrja e Topit: “Çdo vonesë, pengesë apo alibi për të zgjatur mbylljen e procesit të numërimit tërësor të votave, është e dëmshme për integritetin e procesit dhe frymën kushtetuese të shprehjes së sovranitetit të popullit”
TIRANË Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është në një linjë me ndërkombëtarët, kur bëhet fjalë për procesin e ngadaltë të numërimit. Në mungesë të Presidentit të Republikës, i cili ndodhet për një vizitë disa ditore në Turqi, Drejtoria e Informimit Publik të Institucionit të Presidentit të Republikës, e pyetur nga media në lidhje me qëndrimin e kreut të shtetit ndaj zgjedhjeve të 8 majit dhe ecurisë së procesit të numërimit të votave deklaroi se: “Presidenti i Republikës vlerëson se zgjedhjet e 8 Majit shënuan një progres në standardet për zgjedhje të lira dhe demokratike. Me pjesëmarrjen e lartë dhe sjelljen qytetare, zgjedhësit shqiptarë dëshmuan maturi dhe ndjeshmëri, për t’u dhënë të gjithë besimin dhe integritetin e nevojshëm procesit zgjedhor. 8 Maji ishte një ditë normale votimi. Qytetarët e thanë fjalën e tyre, e shprehën vullnetin e tyre, bënë zgjedhjet më të mira për ta”. Në këto kushte, Presidenti sqaron përmes një deklarate për mediat se tani është përgjegjësia politike e administrimit bipartiak të zgjedhjeve, që të dëshmojë vullnet të qartë politik, për të respektuar votën qytetare. “Çdo vonesë, pengesë apo alibi për të zgjatur mbylljen e procesit të numërimit tërësor të votave është e dëmshme për integritetin e procesit dhe frymën kushtetuese të shprehjes së sovranitetit të popullit. Presidenti i Republikës u kërkon publikisht partive politike dhe përfaqësuesve të tyre zgjedhorë, si dhe institucioneve ligjore, të përfshira në proces, që me transparencë, shpejtësi dhe përgjegjësi të përmbyllin procesin e administrimit të votave!”, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.