E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Politikë më liberale për vizat me Çekinë

Tiranë- Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka kërkuar një politikë më liberale për regjimin e vizave me Çekinë. Deklarata është bërë sot gjatë një takimi mes tij dhePresidentit të Senatit të Republikës së Çekisë, Premysl Sobotka, në Pallatin e Brigadave.

Kreu i shtetit shqiptar dhe Presidenti i Senatit çek vlerësuan në këtë takim marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Çekisë si dhe shprehën interesin e përbashkët për zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë për dy vendet, sidomos në aspektin e zhvillimit të ekonomisë, turizmit, shkëmbimeve tregtare, etj.

Presidenti Topi theksoi se kësaj do i shërbente në politikë më liberale e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë, duke filluar nga kategori të caktuara si dhe vendosja e një linje direkte ajrore mes dy vendeve tona.

Gjithashtu, në kuadër të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe popujve tanë, Kryetari i Shtetit theksoi rëndësinë që merr në këtë kontekst diplomacia parlamentare. Sipas Presidentit Topi, shkëmbimet e ndërsjella të strukturave të ndryshme të dy parlamenteve do të shërbenin dhe për shkëmbim eksperience sa i përket përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së në kuadër të integrimit evropian. “Shqipëria e vlerëson shumë eksperiencën integruese të Çekisë në BE, dhe e shikon me shumë interes mbështetjen e saj ndaj rrugës së proceseve integruese të Shqipërisë”, – u shpreh kryetari i Shtetit.

Në vijim të bisedës, Topi u ndal në disa prej zhvillimeve më kryesore në vend, ku vëmendje e posaçme iu kushtua ecurisë së reformave kushtetuese, zgjedhore dhe reformës në drejtësi, si faktorë të rëndësishëm në nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë.

Në këtë kuadër, ai vlerësoi mbështetjen që Çekia i dha Shqipërisë për marrjen e ftesës për anëtarësim gjatë Samitit të Bukureshtit, si dhe shprehu besimin në ratifikimin e Protokolleve për Anëtarësim në NATO nga pala çeke duke marrë sigurimin se ky ratifikim do të bëhet brenda muajit tetor.

Zoti Sobotka e siguroi Presidentin Topi për mbështetjen e plotë të shtetit çek në drejtim të plotësimit të aspiratave integruese të vendit tonë, duke shprehur njëkohësisht edhe gatishmërinë për të ofruar e ndarë së bashku ide, pikëpamje dhe përvojat integruese si edhe bashkëpunim të gjithanshëm, sidomos nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të niveleve më të larta dhe ato mes komisioneve reciproke parlamentare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›