E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Presidenti, proces i hapur e transparent

TIRANË- Presidenti aktual, Bamir Topi ka vlerësuar sot se procesi i zgjedhjes së kreut të ri të shtetit duhet të jetë i hapur e transparent dhe të finalizohet me gjetjen e garantuesit të ekuilibrave dhe pavarësisë së institucioneve kushtetuese.

Deklarata është bërë gjatë një takimi mes tij dhe Grupit Parlamentar për Marrëdhëniet e Gjermanisë me shtetet e Evropës Juglindore të kryesuar nga Peter Vajs dhe anëtarët Kristel Apah-Kasan dhe Andreas Lamel.

Gjatë takimit, Topi bëri një përshkrim të detajuar të zhvillimeve e të reformave të ndërmarra në Shqipëri, në drejtim të forcimit të demokracisë e shtetit ligjor, sidomos aktualisht, gjatë procesit të përmbushjes së kritereve të kërkuara integruese për në Bashkimin Evropian. Një rol kyç gjatë gjithë këtij procesi luan edhe institucioni legjislativ dhe veprimtaria e tij parlamentare, sidomos aktualisht gjatë synimeve për realizimin e reformës zgjedhore, reformës parlamentare dhe zgjedhjes së Kreut të ri të Shtetit nëpërmjet një procesi të hapur dhe transparent për ti dhënë vendit garantuesin e ekuilibrave dhe të pavarësisë së institucioneve kushtetuese-theksoi Topi.

Topi ka theksuar vendosmërinë e madhe dhe seriozitetin që shteti shqiptar do të tregojë në rrugën drejt integrimit në Bashkimit Evropian, për të fituar sa më parë statusin kandidat për anëtarësim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›