E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi Progres-Raporti i KE-se politika ka nevoje per nje reflektim te thelle

Dje Komisioni Evropian bëri publik Raportin e Përparimit 2011 mbi Shqipërinë.

“E falënderoj Bashkimin Evropian për Raportin, duke e konsideruar atë një dokument realist, të paanshëm dhe profesional, që pasqyron ecurinë dhe problematikën e procesit të përafrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian”.

Kështu e ka nisur presidenti i Republikës, Bamir Topi, mesazhin e tij publik në lidhje me raportin e përparimit të Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Sipas tij, në kontrast të thellë me nevojat dhe aspiratat e qytetarëve dhe shoqërisë shqiptare, Raporti arrin në përfundimin realist se Shqipëria nuk ka përmbushur kriteret e përcaktuara nga Bashkimin Evropian për të rekomanduar hapjen e bisedimeve për anëtarësim.

“Kjo është përgjigjja e dytë negative për Shqipërinë; në dy rastet për të njëjtat problematika që lidhen kryesisht me përgjegjësinë e pambajtur të institucioneve politike në Tiranë”, tha ai.

Duke shtuar se vitin e kaluar Bashkimi Evropian i prezantoi Shqipërisë 12 rekomandime për një sjellje të re politike dhe reforma konkrete. Pas një viti, fatkeqësisht, shumica e këtyre kërkesave nuk janë plotësuar.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një aspiratë me interes kombëtar për Shqipërinë, ndaj edhe në momente të tilla, qytetarët dhe publiku kanë të drejtë të ndihen të braktisur nga klasa e tyre politike.

Për çdo qytetar ka qenë dhe mbetet e qartë kërkesa për demokraci funksionale, për dialog e bashkëpunim intensiv e institucional midis mazhorancës dhe opozitës për reformat integruese, për forcimin e shtetit të së drejtës përmes rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe konsolidimit të institucioneve të pavarura e kushtetuese.

Shqipëria ka nevojë për një vizion të ri politik, për qëndrime e politika të përgjegjshme, jashtë retorikave personale e propagandistike që nuk zgjidhin, por zgjasin pa fund tranzicionin dhe shanset tona integruese”, tha ai.

Duke apeluar publikisht që partitë e mëdha politike dhe lidershipët e tyre, me përgjegjësi përpara qytetarëve dhe vendit, të gjejnë forcë dhe aftësi për të dalë mbi interesat personale e politike të momentit dhe të bashkojnë energjitë përfaqësuese në dobi të reformave reale të integrimit.

“Axhenda është mëse e qartë, 12 rekomandimet e BE-së.

Dyert e BE-së janë të hapura, vendet dhe shtetet mike në BE duan ta ndihmojnë Shqipërinë e popullin shqiptar, - tashmë është në dorën tonë, nëse ata që flasin e drejtojnë në emër të sovranitetit qytetar, janë po ashtu të gatshëm t‘u shërbejnë si duhet qytetarëve dhe vendit.

Politika nuk ka vlerë nëse ajo kufizohet vetëm në fushata elektorale dhe rivalitet personal; para së gjithash ajo matet me rezultatet konkrete në interes qytetar e publik.

Kur politikanët nuk e përmbushin këtë mision, atëherë ata humbasin bazën morale për të përfaqësuar qytetarët.

Sot politika shqiptare ka nevojë për një reflektim të thellë moral e përfaqësues, për të fituar sa më shpejt kohën e humbur ose të paktën, për të mos u bërë më pengesë e procesit të evropianizimit të Shqipërisë.

Apeli im publik është se forcat kryesore politike, në vend të alibive dhe argumenteve partiake kundër palëve respektive, duhet të përqendrohen në një klimë të re dialogu e bashkëpunimi serioz, për të mbajtur realisht premtimin e dhënë dje për shndërrimin e Raportit të BE-së në axhendë të aktivitetit të tyre politik. Është e qartë se në këto rrethana kërkohet një Parlament funksional dhe produktiv; një bashkëpunim intensiv në çështjet që përbëjnë interes të gjerë publik; një qeverisje më transparente dhe në shërbim të qytetarëve, veprime konkrete kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, stabilitet ekonomik e klimë reale besimi për garantimin e konkurrencës së lirë ekonomike dhe sigurimin e sa më shumë investimeve të huaja në Shqipëri.

Me vullnetin politik të palëve dhe mirëfunksionimin parlamentar janë të lidhura edhe nevojat e mëdha për reforma ligjore në sistemin e drejtësisë, sistemin gjyqësor, sektorin e administratës publike, luftën ndaj korrupsionit dhe garantimin real të parimit kushtetues të ndarjes e balancës së pushteteve. Njëherësh apeloj drejtuesit e institucioneve kushtetuese dhe të pushtetit legjislativ e ekzekutiv që me kurajo e qetësi të reflektojnë nga konstatimet nominale e institucionale të raportit, për të krijuar të gjithë klimën e besimin e duhur në evitimin e problematikave të tilla në javët dhe muajt e ardhshëm”, përfundon mesazhi i Topit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›